(VIDEO) Kryeministri paralajmëron luftë më të ashpër ndaj hakerëve që bëjnë “luftë hibride”

(VIDEO) Kryeministri paralajmëron luftë më të ashpër ndaj hakerëve që bëjnë “luftë hibride”

Kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri të ditur se ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të vijë së shpejti në Shkup ku temë kryesore do të jenë sulmet kibernetike. Në takim, siç tha Kovaçevski, do të diskutohen detajet rreth bashkëpunimit me NATO-n, por edhe me vendet anëtare të veçanta që janë më të avancuara në fushën e luftës kundër hakerëve.

Ndërkohë, kryeministri bëri të ditur se do të propozojë që të shpërblehet një nga inxhinierët që ka punuar për trajtimin e pasojave të sulmit të hakerëve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Dua të falënderoj inxhinierët. Kryeinxhinieri tani është në pushim mjekësor për shkak të rraskapitjes, pasi ka punuar 24 orë në ditë. Unë do të propozoj që atij t’i jepet një çmim shtetëror në emër të të gjithë inxhinierëve kompjuterikë që aktualisht po punojnë për parandalimin e sulmeve kibernetike”

Autoritetet njoftojnë se po merren masa shtesë për mbrojtjen e të dhënave dhe për zhvendosjen sa më të shpejtë të tyre, për të parandaluar sulme në të ardhmen.

Ndërkohë, Kovaçevski ka paralajmëruar se nuk do të falet askush që abuzon poziten e vet shtetërore.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Raste të tilla ekzistojnë dhe nuk ka pasur falje për askënd. Nëse dikush ka dyshime për keqpërdorime të caktuara, atëherë të gjitha institucionet janë në dispozicion për ta paraqitur dhe për t’u proceduar dhe sanksionuar sipas ligjeve të shtetit. Ne kemi një sistem ligjor që sanksionon çdo abuzim të çdo lloji pa privilegjuar askënd mbi asnjë bazë”

Kovaçevski deklaroi se këtë përkushtim e ka konfirmuar përmes një numri të caktuar shkarkimesh dhe emërimesh të zyrtarëve pikërisht për shkak të dyshimeve për keqpërdorimin e detyrës. /SHENJA/

 

MARKETING