(VIDEO) Krerët shtetëror me mesazhe urimi për Fitër Bajramin

Krerët shtetërorë kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e festës së Fitër Bajramit. Presidenti, Stevo Pendarovski,  u ka dërguar urim qytetarëve të besimit islam në vend dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, njoftoi presidenca . Në urimin e tij ai thotë që të gjithë së bashkut të punojmë për përparimin dhe mirëqenien e atdheut tonë të përbashkët, Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT

“Uroj që ditët e festave t’i kaloni në paqe dhe harmoni të mbushura me lumturi e gëzim dhe duke ndarë dashuri me të afërmit. Në frymën e Ramazanit, të japim, të ndihmojmë dhe të përhapim vullnetin e mirë. Pavarësisht përkatësisë fetare, etnike dhe politike, le të kemi mirëkuptim dhe respekt për të gjithë bashkëqytetarët tanë”.

 Urim me rastin e Bajramit ka dërguar edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

 TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT

 “Më lejoni që në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, t’jua uroj ditën e parë të festës së madhe muslimane, Ramazan Bajramin, të gjithë besimtarëve në vend dhe kudo që gjenden jashtë tij… Mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe të Bajramit”.

 Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dërguar një telegram urimi për kreun e BFI-së Fetahu, anëtarët e Rijasetit dhe myftinjve, si dhe për të gjithë besimtarët e fesë islame që po festojnë.

 DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

 “Përcjell urimet e sinqerta për paqe, gëzim dhe mirëqenie për të gjithë dhe në shtëpinë e secilit. Festat janë ditë kur familjarët, fqinjët, miqtë janë bashkë dhe ndajnë respekt, mirëkuptim, solidaritet reciprok”.

Ai rikujtojn se kohën e sfidave ekonomike dhe të sigurisë, Maqedonia e Veriut është shembull unik për edukimin dhe zhvillimin e traditave, feve dhe komuniteteve.  Mesazhe urimi kanë përcjellë gjithashtu edhe politikanë dhe zyrtarë të tjerë të vendit. /SHENJA/

MARKETING