(VIDEO) Kosovë, dështon seanca e konstituimit të Kuvendit

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.
Kryesuesi i seancës tha se do t’i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi si “sulm brendainstitucional” kundër Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Albin Kurti, kryeministër në detyrë
“Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”
PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë pranuar dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin e komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se seanca për konstituim duhet të thirret sa më parë, derisa tha se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po e bllokon qëllimshëm procesin. /SHENJA/