(VIDEO) Konfirmohet rasti i parë në RMV me “Kraken”, varianti i ri i KOVID-19
Gjatë ditës së sotme është regjistruar rasti i parë i infektimit me llojin e ri të koronavirusit i njohur si “kraken”. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilët, këtë mëngjes kanë njoftuar se tek një pacient është detektuar varianti i ri “Kraken”.
INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK
“Tek një mostër, nga gjithsej 32 është detektuar Kraken, i cili është varian i omikronit. Pacienti tek i cili është detektuar është nga Gjevgjelia, ndërsa mostra është marrë më 11.01.2023”
Nga ISHP-ja, gjithashtu njoftojnë se 32 mostra janë pozitive në koronavirus dhe mostrat e selektuara kanë qenë të muajve dhjetor 2022 dhe janar 2023.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Aleksandar Petliçkovski në lidhje me variantin e ri, deklaroi se të gjitha të dhënat deri tani tregojnë se përsëri bëhet fjalë për një variant i cili shkakton simptome të buta dhe nuk pritet që përhapja e saj në mënyrë shtesë ta ngarkojë sistemin shëndetësor.
Sipas mjekut Petliçkovski, gjendja epidemiologjike në vend është stabile, ndërsa sezoni i gripit ka filluar para dy javësh dhe parashikohet të zgjasë shtatë deri në tetë javë.
Samir Mustafa /SHENJA/