Trump paralajmëron Iranin: Mos kryeni aktivitete bërthamore, ndryshe ju godasim
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin që të mos kryejë aktivitete bërthamore në objektin e fortifikuar të Malit Pickaxe, duke kërcënuar me sulme të reja amerikane.
“Vëmë re se ka një aktivitet të vogël në Pickaxe. Do t’i këshilloja Iranit të mos bëhet i zgjuar, sepse do të na duhet t’i godasim shumë fort”, deklaroi Trump.
Ai tha se lufta kundër Iranit është e nevojshme për të parandaluar që Teherani të sigurojë armë bërthamore. Sipas tij, për dekada presidentë të ndryshëm amerikanë kanë tentuar ta bindin Iranin përmes diplomacisë, por pa sukses.
Trump kishte paralajmëruar edhe më herët se Shtetet e Bashkuara mund ta godasin së shpejti objektin në Malin Pickaxe.
“Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, tha ai javën e kaluar në Zyrën Ovale, duke shtuar se SHBA-ja mund ta godasë Pickaxe-n nëse konstaton se aty po zhvillohet ndonjë aktivitet.
Në të njëjtin tubim, Trump foli edhe për Ngushticën e Hormuzit, duke sugjeruar me shaka se ajo mund të riemërtohet “Ngushtica Trump”.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se pret që çmimet e naftës të bien pas përfundimit të konfliktit me Iranin, duke pretenduar se SHBA-ja tashmë kontrollon rrugën strategjike detare.
Trump u shpreh ndërkohë se pret që lufta të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve të mesme amerikane në nëntor. Ai akuzoi Iranin se po përpiqet ta zgjasë konfliktin për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.

