NATO i përgjigjet Rusisë, Rutte: Veprimet e saj po forcojnë mbështetjen për Ukrainën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës po japin efektin e kundërt, duke forcuar vendosmërinë e NATO-s për të mbështetur Kievin.
Rutte tha se Rusia po pëson humbje të mëdha në luftë, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin nuk po tregon gatishmëri për t’i dhënë fund konfliktit. NATO ka theksuar ditët e fundit nevojën për mbështetje urgjente për Ukrainën, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.
“Pavarësisht këtyre humbjeve të mëdha, Putini nuk po tregon asnjë gatishmëri për t’i dhënë fund luftës”, tha Rutte.
Ai akuzoi Rusinë se po vazhdon sulmet ndaj Kievit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës, duke goditur edhe civilë dhe infrastrukturë civile.
Rutte përmendi gjithashtu aktivitetet hibride të Rusisë në Evropë, përfshirë sulmet kibernetike, sabotimet, zjarrvëniet, shkeljet e hapësirës ajrore dhe incidentet me dronë.
Sipas tij, veprimet e Moskës janë “të pamatura dhe të rrezikshme”, por nuk do ta frikësojnë NATO-n.
“Putini mendon se mund të na përçajë, të na destabilizojë dhe ta dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën. Por ai do të dështojë. Këto veprime keqdashëse po japin efektin e kundërt”, deklaroi Rutte.

