(VIDEO) Komuniteti turk njëzëri kundër propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë

(VIDEO) Komuniteti turk njëzëri kundër propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë

Partitë politike turke dhe organizatat e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut u shprehën njëzëri se Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili po shqyrtohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, përmban një sërë mangësish dhe se, në formën aktuale, rrezikon të drejtat e komuniteteve më të vogla etnike, veçanërisht të komunitetit turk. Sipas tyre, ky propozim-ligj duhet të ndryshohet ose të plotësohet me mekanizma më të qartë dhe më efektivë mbrojtës.

Lidhur me këtë çështje kanë reaguar Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), organizatë turke që përfaqëson 72 shoqata joqeveritare anëtare të saj, Partia Demokratike Turke (TDP), deputeti turk nga koalicioni Fronti Europian Salih Murat, si dhe Lëvizja e Bashkimit Kombëtar Turk (TMBH), kanë kërkuar që projektligji të ndryshohet dhe të plotësohet me mekanizma të qartë, të matshëm dhe të zbatueshëm.

MATÜSİTEB vlerëson se koncepti i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat mbetet i papërcaktuar qartë dhe nuk parashikon instrumente konkrete për korrigjimin e nën-përfaqësimit të komunitetit turk në institucionet shtetërore dhe lokale. Nga kjo organizatë thonë se ata i kushtojnë rëndësi të veçantë përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komunitetit turk në institucione dhe në proceset vendimmarrëse, duke vlerësuar se kjo përbën një element themelor për garantimin e barazisë dhe forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve, duke ritheksuar se MATÜSİTEB mbetet e përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv dhe forcimit të barazisë në shoqëri.

Lidhur me këtë temë nga Partia Demokratike Turke theksojnë se ligji, në versionin aktual, nuk ofron garancë të mjaftueshme juridike dhe institucionale për zbatimin e plotë të një prej arritjeve më të rëndësishme të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. TDP shprehet e gatshme të kontribuojë me propozime konkrete, por thekson se nuk mund të mbështesë një zgjidhje që lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe zbatim të pabarabartë.

Edhe deputeti turk Salih Murat deklaroi se Fronti Europian ka ndërmarrë të gjitha hapat institucionalë për të kundërshtuar ligjin, duke dorëzuar amendamente, ku kanë informuar opinionin publik dhe kanë  ngritur shqetësimet edhe para Komisionit të Venecias dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Sipas tij, miratimi i ligjit në formën aktuale do të përbënte “një goditje serioze ndaj integrimit kushtetues të komuniteteve” dhe do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe praktikat ekzistuese juridike.

SALIH MURAT, DEPUTET

“Ky ligj është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, me praktikën historike të Maqedonisë së Veriut dhe me legjislacionin që rregullon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Nëse ky ligj miratohet në formën aktuale, do t’i jepet një goditje serioze integrimit të komuniteteve në nivel kushtetues”.

Gjithashtu, në lidhje me propozim ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, kanë reaguar edhe nga Lëvizja e Bashkimit Kombëtar Turk (TMBH), ku sipas tyre zgjidhja e propozuar nuk është në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë dhe nuk garanton zbatimin e drejtë të parimit kushtetues të përfaqësimit, e cila përbën një nga garancitë themelore kushtetuese.

Sipas TMBH-së, mungesa e mekanizmave për verifikimin dhe mbikëqyrjen e deklarimit të përkatësisë etnike krijon terren për vazhdimin e keqpërdorimeve dhe mund ta vështirësojë punësimin e pjesëtarëve të komunitetit turk në administratën publike.

Partitë politike turke dhe organizatat e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut  u bëjnë thirrje institucioneve dhe deputetëve në Kuvendin e RMV-së, që të rishqyrtojnë përmbajtjen e projektligjit përmes dialogut dhe konsultimeve të gjera, me qëllim miratimin e një zgjidhjeje ligjore të qëndrueshme që do të forcojë besimin në institucione dhe bashkëjetesën ndëretnike në vend.

MARKETING