(VIDEO) Komiteti i përbashkët parlamentar BE-RMV, Waitz porosit vendin të luftojë më tepër korrupsionin
Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian , por mbi të gjitha një çështje e besimit të qytetarëve në institucione dhe sistemin ligjor, tha eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, në seancën e parë të Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut në Parlament, e cila u zhvillua në Kuvend.
Tomas Vajc, raportuesi për RMV-në në PE
“Të gjitha vendet e BE-së luftojnë me korrupsionin, asnjë vend anëtar nuk është e përkryer. Ne luftojmë që ta forcojmë sundimin e ligjit, por ka dallime mes nesh. Në vend të ndryshme anëtare ka nivele të ndryshme të korrupsionit. Edhe në Austrinë time ka raste të mëdha të korrupsionit, por dallimi është se atje burgosen edhe njerëz shumë të pasur”.
Eurodeputeti përmendi edhe largimin e të rinjëve nga vendi, duke theksuar se kjo është një nga pengesat kryesore për zhvillimin e shtetit, sepse me largimin e tyre humb një pjesë e ardhmërisë së vendit. Ndërsa nuk harroi të përmend edhe Kodin Penal, pasi siç tha me miratimin e tij vendi mund të shfrytëzoj mjetet e mekanizmave evropiane për mbështetje.
Euroambasadori Mihalis Rokas në fjalën e tij e përgëzoi harmonizimin e RMV-së me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në, si dhe rolin aktiv të vendit tonë si anëtare e NATO-s. Mirëpo theksoi se për hapjen e klasterit “Themelet”, fillimisht duhet të përfshihen bullgarët në Kushtetutë.
Mihalis Rokas, euroambasador
“Qëllimi i politikës tonë mbetet hapja e bisedimeve për klasterin ‘Themelet’, sapo të plotësohet kriteret e miratuara nga Këshilli. Dhe siç e dini kjo don të thotë fillimisht dhe parasegjithash vendosja e bullgarëve në Kushtetutë. Për këtë është e nevojshme mbështetja e Kuvendit në këtë drejtim”.
Zgjerimi shihet si një investim jetik gjeostrategjik. Kështu theksoi ambasadori irlandez Brendan Vard, vendi i të cilit mban presidencën aktuale të Këshillit të BE-së. Ai u bëri thirrje partive politike të vendit të punojnë drejt një konsensusi mbi reformat e nevojshme për të çuar përpara procesin e pranimit.
Sinkron: Brendan Vard, ambasadori irlandez
“Mezi presim që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë veprimet që do të mundësojnë përparim të mëtejshëm në pranim. Ne i inkurajojmë të gjitha partitë në parlament të punojnë drejt një konsensusi ndërpartiak në mënyrë që të ketë një fokus të përbashkët dhe të ndërmerren hapat konkretë të nevojshëm për të çuar përpara procesin e pranimit.”
Të gjitha porositë e ndërkombëtarëve janë që vendi të realizoj ndryshimet kushtetuese. Mirëpo qeveria e kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski janë të prerë në qëndrimin se nuk do të ndryshojnë Kushtetutën pa garanci të qarta nga BE dhe vendet fqinje.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

