(VIDEO) Kocevski: Propozimi për shkarkimin tim nuk ka bazë

Në propozimin për shkarkimin tim, nuk ekziston bazë që vërteton shkelje të rëndë disciplinore. Kështu u shpreh sot kryeprokurori Lupço Kocevski, për iniciativën për shkarkimin e tij. Ai informoi se propozimin për shkarkimin e tij, të inicuar nga Qeveria e ka marrë të enjten nga Këshilli i Prokurorëve Publik.
Lupço Kocevski, prokuror publik
“Gjatë ditës së djeshme, më është dorëzuar propozimi për shkarkim nga ana e Këshillit të Prokurorëve. Në një afat të arsyeshëm kohor, do të deklarohem për të gjitha pikat. Mbetem në atë që, nga ajo që munda të shoh, në atë propozim nuk ka asnjë bazë që vërteton shkelje të rëndë disciplinore”.
I pyetur se në çfarë bazohet Qeveria në propozimin për shkarkimin e tij, Kocevski tha se ajo bazohet në atë që është thënë së fundmi nëpër media.
Deri tani Qeveria nuk e ka publikuar përmbajtjen e propozimit për shkarkimin e Kocevskit. Por nga ajo që është e njohur deri tani, në propozimin që e përgatiti Ministria e Drejtësisë thuhet se prokurori publik republikan ka vepruar në disa lëndë, në të cilat, sipas dispozitave ligjore, ka pasur rrethana që kanë ngritur dyshime për paanshmërinë e tij, si dhe ka pasur konflikt interesi.
Sipas Ligjit për Prokurori Publike, Kocevski ka të drejtë që të prononcohet në formë të shkruar, pas iniciativës për shkarkimin e tij dhe të marrë pjesë në seancën në të cilën do të diskutohet dhe vendoset për shkarkimin. Sipas Ligjit për Prokurori Publike, prokurori publik mund të shkarkohet nëse ka bërë shkelje të rëndë disciplinore ose nëse është antarë i ndonjë partie politike.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/