(VIDEO) Kadriu: Iniciativa për rastet e Hagës është e pabazë, Mustafa kritikon vendimmarrjen e gjykatës kushtetuese

(VIDEO) Kadriu: Iniciativa për rastet e Hagës është e pabazë, Mustafa kritikon vendimmarrjen e gjykatës kushtetuese

 

MARKETING

Shik.mk

Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu ka deklaruar se, ka përfunduar procedurën për lëndën që lidhet me rastet e Hagës, duke vlerësuar se iniciativa e paraqitur nga Pavle Trajanov është e pabazë. Duke folur ekskluzivisht në emisionin “Debat në SHENJA”, Kadriu sqaroi se në raport ka përfshirë edhe petitumin, përkatësisht propozimin se si duhet të vendoset lidhur me iniciativën e Trajanovit. Gjatë këtij emisioni ai foli edhe për provimin e jurisprudencës, duke kundërshtuar idenë për të kërkuar një mendim urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe e cilësoi këtë veprim si të paarsyeshëm dhe si përpjekje për të fituar kohë.

Osman Kadriu, Gjykatës Kushtetues

“Provimi i jurisprudencës është një prej provimeve në korpusin e ciklit të lëndëve, në listën e lëndëve që i ka fakulteti juridik. Si mundet të gjitha lëndë garantohen, ligjerohen dhe jepen në gjuhën shqipe, ndërsa në fund kontestohet përdorimi i gjuhës shqipe, në provimin e jurispudencës. Nën 2. Ajo që kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias, është e paarsyeshme, e pakuptueshme, e paqëndrueshme. Komisioni i Venecias i shqyrton vetëm ligjet sistemorë, organikë. Nëse shteti kërkon mendim prej tyre, siç është ligji për kodin penal, ligji për procedurën penale. Është blerje kohe. Unë përdori një fjali sado që të jetë vullgar. Me këtë na “shesin dushk për gogla”.

Nga ana tjetër, avokati Milazim Mustafa nga e njëjta studio ka kritikuar punën e Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se ky institucion është shndërruar në një organ që zbaton politika ditore, me atë që ai i cilësoi si tone shoviniste ndaj të drejtave të komunitetit të dytë më të madh në vend. Mustafa shprehu shqetësimin për mënyrën e marrjes së vendimeve në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se në çështjet e ndjeshme që lidhen me të drejtat e bashkësive, votimet shpesh ndahen sipas përkatësisë etnike të gjykatësve.

Milazim Mustafa, Avokat

“Gjykata është shndërruar në një organ të zbatimit të politikave ditore, fatkeqësisht me tone shoviniste, sa i përket të drejtave të komunitetit të dytë më të madh në vend. Edhe njëherë në emisionin tuaj e kam përmendur faktin se më shqetëson shumë që vendimet që i sjell Gjykata Kushtetuese merren mbi baza etnike. Kemi pasur shumë raste kur, për tema sensitive që kanë të bëjnë me çështjet e bashkësive, kemi pasur votime 6:3 apo 5:3, ku gjykatësit maqedonas kanë votuar në njërën anë, ndërsa gjykatësit shqiptarë në anën tjetër. Çfarë drejtësie mund të presim në këto rrethana”.

Ndërsa, ai ka vlerësuar po ashtu se kundërshtimet dhe “lufta” kundër Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë nxitur nga teza nacionaliste, të cilat, sipas tij, kanë krijuar perceptimin e gabuar se me këtë ligj është avancuar në mënyrë të tepruar gjuha shqipe. Mustafa theksoi se avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe, edhe pas miratimit të ligjit në vitin 2019, nuk është realizuar në të gjithë sektorët, por vetëm në fusha të caktuara.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING