(VIDEO) Kabineti i Gashit i reagon ministres së Kulturës: Shqipja është e garantuar me Kushtetutë

(VIDEO) Kabineti i Gashit i reagon ministres së Kulturës: Shqipja është e garantuar me Kushtetutë

Deputetja e LSDM-së dhe ministrja e kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska ka dërguar ankesë në Sektorin e Inspektimit në Ministrinë e Kulturës kundër kryetarit të ri të Kuvendit Afrim Gashi, pasi sipas saj, Gashi është dashur ta lexojë betimin fillimisht në gjuhën maqedonase dhe më pas në gjuhën shqipe. Ajo madje në rrjetin social Facebook ka treguar arsyet se pse e quan skandaloze betimin e kreut të Kuvendit në gjuhën shqipe.

BISERA KOSTADINOVSKA-STOJÇEVSKA, MINISTRE E KULTURËS

“Pse është skandaloze që betimi solemn të jepet fillimisht në shqip e më pas në maqedonisht? Sepse gjuha maqedonase është gjuha e parë zyrtare e Maqedonisë së Veriut, e ndjekur nga gjuhë të tjera, jo më pak të rëndësishme, por të përcaktuara me Kushtetutë sipas përqindjes së përfaqësimit të qytetarëve që e flasin atë”

Ajo deklaroi se gjuha nuk është dhe nuk mund të jetë një mekanizëm personal apo etnik për fitimin e pikëve politike.

BISERA KOSTADINOVSKA-STOJÇEVSKA,MINISTRE E KULTURËS

“Gjuha është një mjet i komunikimit zyrtar dhe i llojeve të tjera të komunikimit. Kryetari i Kuvendit mund të jetë edhe shqiptar etnik, maqedonas etnik dhe çdo deputet tjetër për të cilin pajtohen partitë në pushtet, por gjuha e parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është gjuha maqedonase”.

Pas kësaj ankese, i mënjehershëm ka qenë reagimi nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Nga atje thonë se përdorimi i gjuhës shqipe në komunikim zyrtar është i garantuar me Kushtetutë.

KABINETI I KRYETARIT TË KUVENDIT, AFRIM GASHI

“Kryetari i Kuvendit e ushtron të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar, e cila garantohet me Kushtetutë, me ligjet në fuqi dhe rregulloren e Kuvendit. Këtë të drejtë ligjore ai do ta ushtrojë gjatë gjithë mandatit. Kryetari Gashi është i përkushtuar të garantojë se të gjitha procedurat parlamentare, në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ligjet, ta respektojnë dhe promovojnë shoqërinë tonë multikulturore”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u zgjodh të martën me 76 vota pro dhe betimin fillimishtë e lexoi në gjuhën shqipe e më pas në gjuhën maqedonase. Samir Mustafa /SHENJA/ 

MARKETING