(VIDEO) Jeni Xhamia bëhet Muze, reagon BFI: bën thirrje që të ndërpriten aktivitetet
Bashkësia Fetare Islame e ka kundërshtuar iniciativën për shndërrimin e Xhamisë Jeni në “Muze” dhe ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha aktiviteteve që lidhen me këtë proces. Ata thonë se e konsiderojnë të papranueshme që të mos konsultohet Bashkësia Fetare Islame për një projekt të tillë, e as të kërkohet pëlqimi i tyre për realizimin e tij. Ata theksojnë se BFI ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë rikthimin e Xhamisë Jeni dhe përdorimin e saj nga besimtarët myslimanë të Manastirit si një vend adhurimi.
BASHKËSIA FETARE ISLAME
“Shteti, konkretisht Ministria e Kulturës dhe institucionet kulturore të Maqedonisë së Veriut, kurrë nuk e kanë përmbushur këtë kërkesë legjitime të Bashkësisë Fetare Islame dhe për shumë vite e kanë mbajtur këtë xhami të mbyllur, duke e përdorur si “Galerinë e Arteve”. Tani, pa miratimin e Bashkësisë Fetare Islame, Enti Kombëtar dhe Muzeu i Manastirit po e transformojnë Xhaminë Jeni në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”.
Nga BFI ftuan institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut të ndalojnë çdo autorizim ligjor që çon në ndryshimin e karakterit të këtij objekti kulturor dhe fetar. Ata thonë se historia shtatë shekullore e kësaj xhamie është pjesë e trashëgimisë islame të Maqedonisë së Veriut, dhe një vendim i tillë përbën fyerje për të gjithë besimtarët myslimanë të vendit tonë. “Në respekt të ndërsjellë të të drejtave dhe ndjenjave fetare të të gjithë qytetarëve, apelojmë për arsyeshmëri dhe për ndërprerjen e kësaj iniciative” thuhet në komunikatën e tyre.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/