(VIDEO) Grubi deklarohet i pafajshëm, Bajrami gjykohet në mungesë
Ish zëvendës-kryeministri Artan Grubi nuk ndjehet fajtor për veprën penale që i ngarkohet për rastin e “Lotarisë Shtetërore”. Krahas tij, edhe të dyshuarit e tjerë, Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski, u deklaruan të pafajshëm, përveç ish drejtorit të “Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajrami i cili është në arrati. I dyshuari i fundit Bashkim Avdi nuk u deklarua për fajësinë sepse tha se nuk e kupton gjuhën maqedonase dhe kërkoi që provat dhe aktakuza t’i përkthehen në gjuhën shqipe. Kjo ishte edhe arsyeja që u anulua seanca e sotme.
Prokuroria Publike e prezantoi aktakuzën se për çfarë saktësisht i akuzon të dyshuarit. Risia është se Prokuroria e ka specifikuar më tej aktakuzën që rezulton nga ekspertiza, kështu që në vend të dëmeve prej rreth 8.2 milionë eurosh, të dyshuarit tani ngarkohen me dëme prej rreth 9.7 milionë eurosh. Prokuroria Publike paralajmëroi prezantimin e 231 provave material, ekspertiza dhe dëgjim të 7 dëshmitarëve.
Ata akuzohen për blerjen e paligjshme të makinave të lojërave të fatit, e cila, sipas prokurorisë, është miratuar në mënyrë të paligjshme në një seancë qeveritare të kryesuar nga Grubi.
Artan Grubi pasi u vendos në Listën e Zezë amerikane dhe pasi u hap hetimi nga Prokuroria për “Lotarinë Shtetërore”, u largua nga vendi dhe më shumë se 14 muaj ishte në arrati. E pas largimit të tij përmes një statusi në facebook tha se është i pastër si loti.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

