(VIDEO) Ganiu premton se Çerdhja e Çairit do të hapet në shtator

(VIDEO) Ganiu premton se Çerdhja e Çairit do të hapet në shtator

Çerdhja e Çairit duket të jetë përfundimisht gati për t’u lëshuar në përdorim. Të paktën kështu thotë kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, sipas të cilit çerdhja do të hapet në fund të shtatorit. Ai pranon se punimet janë zgjatur dhe fajin për këtë e hedh tek funksionarët e garniturës së kaluar, të cilët siç thotë Ganiu, në mungesë të projekteve tjera, me dhjetra herë kanë ardhur dhe janë fotografuar para çerdhes.

Visar Ganiu, kryetar i Çairit

Ne shpresojmë se do të jetë gati në fillim të këtij vitit shkollor, ndoshta jo menjëherë javët e para, por nga fundi i muajit shtator…edhe unë pajtohem se është dashur të lëshohet në përdorim vitin e kaluar, është vonuar një vit. Por ajo ka qenë në funksion të ish funksionarëve të garniturës së kaluar, për të ardhur nja 10 herë për ta promovuar, për shkak se në mungesë të projekteve të reja vinin tek ne, kurse mjetet ju e dini se janë të siguruara, projektin e të gjitha fazat i ka bërë komuna, kurse mjetet janë nga Banka Botërore”.

Shtoi se pikërisht për këtë çështje sot takohen me ministrin e Politikës Sociale Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limanin. Ky i fundit, gjithashtu pati deklaruar se fajin e prolongimit të punimeve në këtë çerdhe, ishin të Qeverisë së kaluar, gjegjësiht të Ministrisë së Politikës Sociale, nën kompetencë të së cilës janë çerdhet, e në këtë rast shpallja e furnizimeve publike dhe monitorimi i punimeve.

Me një buxhet prej rreth 2 milion eurove, para katër viteve, në Çair, në kuadër të çerdhes “Fidani”, nisi të ndërtohej çerdhja e cila do të ishte çerdhja më e madhe në vendin tonë dhe e njejta duhej të përfundonte në vitin 2022.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING