“Detajet” mbi negociatat tregtare SHBA-Kinë priten javën e ardhshme
Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, ka bërë të ditur se SHBA-ja dhe Kina kanë arritur marrëveshje që përfshijnë një pjesë të mallrave që të dy vendet mund t’i tregtojnë me kushte më të favorshme, ndërsa detajet pritet të bëhen të ditura në fillim të javës së ardhshme, transmeton Anadolu.
“Në fakt, kemi arritur marrëveshje me kinezët për një sërë prej këtyre çështjeve”, tha Greer për kanalin e lajmeve financiare CNBC, duke iu referuar mallrave që përfshijnë produkte bujqësore amerikane dhe pajisje mjekësore, si dhe mallra kineze të konsumit që konsiderohen jo të ndjeshme.
Sipas raportit, Greer tha se administrata e presidentit Donald Trump planifikon të publikojë “shumë më tepër detaje” të hënën lidhur me atë që dy vendet kanë arritur gjatë negociatave të zhvilluara gjatë javëve të fundit.
Dje, presidenti Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, zhvilluan bisedime dhe morën pjesë në një darkë shtetërore. Trump tha se të dy vendet “nuk kanë pasur kurrë marrëdhënie më të mira”, ndërsa pranoi se ato “përfaqësojnë sisteme të ndryshme”.
Xi tha se liderët zhvilluan “shkëmbime të sinqerta dhe të thelluara” dhe arritën një mirëkuptim të përbashkët për disa çështje, duke shtuar se diskutimet ofruan “udhëzime të reja strategjike” për marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së.

