(VIDEO) Filipçe: Korrupsioni po rritet, pushteti përdor prokurorinë për hakmarrje

(VIDEO) Filipçe: Korrupsioni po rritet, pushteti përdor prokurorinë për hakmarrje

Korrupsioni po lulëzon, ndërsa pushteti po e përdor prokurorinë për hakmarrje politike, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në Kongresin e 32-të programor të partisë me moton “Shteti yt – shansi yt”. Filipçe theksoi se nuk ka përparim në sistemin e drejtësisë, ndërsa pushteti po përpiqet të vendosë kontroll të plotë mbi këtë pjesë kyçe të sistemit.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Në drejtësi nuk ka përparim, përkundrazi, pushteti po përpiqet të vendosë kontroll të plotë mbi këtë pjesë kyçe të sistemit. Jo vetëm që nuk ekziston luftë kundër korrupsionit, por ndërkohë që korrupsioni po lulëzon, pushteti po e përdor prokurorinë për hakmarrje politike dhe sulme ndaj opozitës”.

Filipçe theksoi se edhe mediat ndodhen në një gjendje shumë shqetësuese, liria e shtypit po bie, ndërsa po rritet kontrolli nga partitë në pushtet. Ai shtoi se pas mesazheve të pushtetit për stabilitet fshihet një realitet krejtësisht tjetër, në të cilin qytetarët përballen me presione ekonomike, ngecje institucionale dhe ndjenjë pasigurie.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Kjo është pamja e vërtetë e qeverisjes sot. Shtrenjtësi për qytetarët, vetëbesim i tepruar i pushtetit, propagandë boshe, ngecje në institucione, kontroll mbi mediat dhe konfuzion në çështjet strategjike. Një pushtet që flet për stabilitet, por prodhon pasiguri. Një pushtet që thirret në dinjitet, por në fakt ofron pafuqinë si strategji shtetërore. Një pushtet që dëshiron të duket i madh në fotografi, por që çdo ditë bëhet më i vogël përballë problemeve të njerëzve”.

Ajo që është e rrezikshme, sipas Filipçes, është se e gjithë dobësia, dështimi dhe paaftësia po fshihen pas retorikës nacionaliste, pasi siç thotë ai, më e lehta është që dështimi të mbulohet me zhurmë. Filipçe tha se një shtet nuk qeveriset me kokëfortësi, por me me vision dhe nuk mbrohet me justifikime, por me rezultate. /SHENJA/

MARKETING