(VIDEO) Ethet e Nilit Perëndimor – Një person humbi jetën i infektuar, shpallet epidemi në disa komuna të Shkupit
Autoritetet shëndetësore kanë shpallur epidemi të Etheve të Nilit Perëndimor në Kisella Vodë, Ilinden, Gazi Babë dhe Butel. Deri tani janë konfirmuar 24 pacientë të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa dy raste të tjera janë të dyshuara. Sot ka ndërruar jetë një 83 vjeçar, i cili krahas virusit Nil kishte edhe disa sëmundje shoqëruese. 20 pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive prej të cilëve pesë janë në gjendje të rëndë. Ndërsa pesë pacientë të shtruar në Klinikën Infektive janë në gjendje kritike dhe po trajtohen me ventilim mekanik.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, tha se po e ndjekin situatën me institucionet kompetente, me qëllim që rastet të identifikohen dhe të trajtohen në kohë, si dhe të parandalohet shfaqja e rasteve të reja.
Jovica Andovski, zv/ ministër i Shëndetësisë
“Kjo nuk është një sëmundje e re, ajo ka qenë e pranishme edhe gjatë viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit, për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, u paraqit nevoja për një reagim më të fuqishëm institucional. Po e ndjekim situatën në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive”.
Marija Goçevska, Instituti i Shëndetit Publik
“Deri më 11 gusht, janë regjistruar gjithsej 26 raste, prej të cilave dy janë raste të mundshme. Nga këto, 25 persona janë nga Shkupi dhe një nga Velesi. Sa i përket grupmoshës, 22 persona janë mbi 60 vjeç…Bëhet fjalë për raste autoktone nga vendi ynë, ndërsa një person ka udhëtuar në Greqi. Të gjitha rastet janë me formë neuroinvazive”.
Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Fadil Cana, informoi se pacientët po trajtohen në klinikë, e cila disponon kapacitete dhe diagnostikim të përshtatshëm.
Fadil Cana, drejtor i Klinikës për Sëmundje Infektive
“Në Klinikën për Sëmundje Infektive kanë qenë dhe janë 29 pacientë të hospitalizuar. Prej tyre 25 janë të konfirmuara laboratorikisht. Katër pacientë konsiderohen si raste të dyshuara dhe procedura diagnostikuese është në vijim. Tetë pacientë janë liruar për mjekim në shtëpi, por, për fat të keq, duhet të informoj se një pacient 83-vjeçar ka ndërruar jetë. Pacienti vuante edhe nga sëmundje të tjera”.
Institucionet kompetente bëjnë thirrje për kujdes dhe rekomandojnë: përdorimin e rregullt të mjeteve kundër insekteve, veshjen e rrobave me ngjyra të hapura dhe që mbulojnë trupin, shmangien e qëndrimit në ambiente të hapura gjatë periudhave kur mushkonjat janë më aktive.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

