(VIDEO) Elmazi: Së shpejti hapet tenderi për rrethrotullimin në Saraj
Ndonëse Komuna e Sarajit nuk është kompetente, kreu i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi thotë se për një afat të shkurtër kohorë Qyteti i Shkupit pritet të hapë tenderin dhe praktikisht të nisin punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit në hyrje të Sarajit, të premtuar në fushatën zgjedhore nga kreu aktual.
Elmazi tha se përveç rrethrotullimit, në hyrje të Sarajit do të ndërtohet edhe një urë e re lidhëse.
MUHAMED ELMAZI – KRYETAR I KOMUNËS SË SARAJIT
“Jemi në pritje të hapjes së tenderimit, ka disa pengesa teknike në Qytetin e Shkupit. Gjithçka është gati dhe shpresojmë se brenda kësaj periudhe shumë afat shkurte do të fillojnë punimet ku do të ketë në vendbanimin Saraj, edhe një urë të re”.
Kjo nuk është hera e parë që Elmazi flet për hapjen e tenderit për ndërtimin e rrethrotullimit në hyrje të Sarajit, për herë të parë për këtë çështje kishte folur në emisionin, Debat në Shenja, më 27 prill të këtij viti.
MUHAMED ELMAZI – KRYETAR I KOMUNËS SË SARAJIT
“Dhe ja një lajm ekskluziv për emisionin e juaj, jo më larg se dje ishim në një takim të përbashkët me kryetarin e qytetit të Shkupit dhe se brenda mos të them ditësh, brenda dy javëve apo tre bëhet hapja e tenderimit për urën e re dhe rrethrotullimin në Saraj. Dmth, nuk bëhet rrethrotullimi në urën ekzistuese, diku 100 150 më lartë dhe ky të jetë një lajm ekskluziv për emisionin e juaj. Dmth atij problemi të kahmotshëm të banorëve të Sarajit i vjen zgjidhja”.
Udhëkryqi ku pritet të ndërtohet rrethrotullimi, është një prej vendeve më të rrezikshme për shoferët që duan të kyçen nga Rruga “Panajot Ginovski” në Bulevardin “Gjorçe Petrov”. Qytetarët thonë se shoferët që vijnë nga Kondova dhe fshatrat tjera përreth e që duan të lidhen në udhëkryqin që çon drejt Sarajit, kanë vështirësi të mëdha dhe shpesh ndodhin edhe aksidente.
Mevludin Imeri /SHENJA/

