(VIDEO) Drejtori i Kardiokirurgjisë: Jam shkarkuar në mënyrë të paligjshme

(VIDEO) Drejtori i Kardiokirurgjisë: Jam shkarkuar në mënyrë të paligjshme

Drejtori i shkarkuar i kardiokirurgjisë Marjan Shokarovski në konferencën e sotme për media ka deklaruar se është shkarkuar  në mënyrë të kundërligjshme. Lidhur me pacientët që nuk figurojnë në programin “Termini im”, ai tha se bëhet fjalë për një gabim softuerik, i bërë për shkak të papërshtatshmërisë së sistemit që ata përdorin dhe programit “Termini im”.  Shokarovski thotë se dikush e ka orkestruar shkatërrimin e Kardiokirurgjisë shtetërore. Sipas tij qeveria teknike nuk ka të drejtë shkarkimi apo emërimi.

MARJAN SHOKAROVSKI, DREJTOR I KLINIKËS SË KARDIOKIRURGJISË

“Shkarkimi im është i paligjshëm, sepse gjatë mandatit të qeverisë teknike nuk mund të shkarkohet dhe as të emërohet. U bëj thirrje institucioneve përkatëse që duhet të kujdesen për ligjshmërinë në këtë vend, të reagojnë urgjentisht”.

Sa i përket të dhënave  për vdekshmëritë të cilave iu është referuar ministri I shëndetësisë Ilir Demiri, Shokarovski thotë se të dhënat që ministri i ka pasur në dispozicion nuk janë të sakta dhe se nuk ka rritje të vdekshmërisë.

MARJAN SHOKAROVSKI, DREJTOR I KLINIKËS SË KARDIOKIRURGJISË

“Natyrisht që burimi i të dhënave i ka mashtruar dhe u ka dhënë numra të gabuar dhe ata nuk e kanë marrë mundimin të dëgjojnë palën tjetër, që është një parim bazë në objektivitet. Pikërisht për këtë arsye ne bëmë ekspertizën tonë statistikore. Nga analiza kemi ardhur në konkluzione objektive që hedhin poshtë të gjitha gënjeshtrat e deklaruara më parë nga ministri në largim dhe media të caktuara.

 

Sipas tij  nuk është e vërtetë që vdekshmëria është rritur nga koha që ai drejton klinikën, por përkundrazi numri i vdekjeve është ulur.

Të hënën ministri i shëndetësisë Ilir Demiri e shkarkoi drejtorin e klinikës së kardiokirurgjisë Marjan Shokarovskin si rezultat i informacioneve për vdekshmëri më të lartë në këtë klinikë dhe siç tha atë ditë Demiri  170 pacientë nuk kanë qenë të përfshirë në mënyrë të rregullt në programin “Termini im”.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING