(VIDEO) Dhunuan shoqen e klasës, 14 persona thirren në bisedë informative
Lidhur me dhunën mes bashkëmoshatarëve ndaj një nxënëseje të klasës së gjashtë në Gjorçe Petrov, e cila u keqtrajtua nga tre shoqe klase, të cilat fillimisht e kanë rrahur, e kanë djegur me cigare ndërsa më pas edhe e kanë inçizuar, ka bërë që institucionet të reagojnë menjëherë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se në bisedë informative janë thirrur 14 persona, mes tyre edhe prindërit e nxënësve të përfshirë. Ai siguroi se policia vazhdimisht i kushton vëmendje edhe këtij lloji të dhunës, edhe pse në periudhën e fundit opinioni publik ka qenë më i fokusuar te dhuna në familje.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Në lidhje me rastin konkret jam i informuar se po zhvillohet hetim; 14 persona janë thirrur për bisedë dhe për disa prej tyre do të pasojnë veprime të caktuara procedurale. Sigurisht, në kuadër të këtij rasti është përfshirë edhe Prokuroria Publike, e cila vepron sipas udhëzimeve të prokurorit kompetent”.
Meqë bëhet fjalë për të mitur, ministri tha se duhet të japuin informacione të kufizuara.
Ndërkaq, sa i përket dhunës në familje, Toshkovski paralajmëroi se do të propozojë ligj të ri për përforcimin e mekanizmave në luftën kundër dhunës në familje. Me ligjin e ri, ai tha se policia do të ketë të drejtë që pa vonesë të ndërhyjë në mbrojtje të viktimës, duke e larguar autorin nga shtëpia, duke i ndaluar afrimin dhe çdo kontakt me viktimën.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Zyrtari policor do të mund të shqiptojë menjëherë një masë urgjente për mbrojtjen e viktimës, përkatësisht ta largojë autorin nga shtëpia, t’i ndalojë afrimin dhe t’i ndalojë çdo kontakt me viktimën. Masa do të vendoset menjëherë, pa pëlqimin e viktimës, dhe do të vlejë deri në 48 orë, pas së cilës Gjykata do ta konfirmojë, do ta shfuqizojë ose do ta zgjasë deri në 30 ditë”.
I pari i policisë gjithashtu paralajmëroi vendosjen e kamerave inteligjente trupore për ekipet e ndërhyrjes së shpejt të policisë , si pjesë e një sistemi modern që synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në punën e policisë. Sipas tij, këto kamera do të regjistrojnë 24/7 çdo situatë në terren, duke krijuar një pasqyrë të saktë dhe të dokumentuar të ngjarjeve. Sistemi do të ndërtohet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe do të mundësojë komunikim dypalësh, duke siguruar evidencë të qartë për çdo ndërhyrje.
Samir Mustafa /SHENJA/

