(VIDEO) Debat në Shenja, kryetari i Likovës: Kemi obstruksione

(VIDEO) Debat në Shenja, kryetari i Likovës: Kemi obstruksione

 

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi tha se projekti i i ujësjellësit është një ndër projektet më të rëndësishme të komunës. Arifi theksoi se projekti i ujësjellësit përfshin 11 vendbanime dhe është në faza të ndryshme realizimi. I ftuar në Debat në Shenja, Arifi sqaroi se punimet janë në proces në disa fshatra si Nikushtaku, Vishtica, Mateçi dhe Hotla, ndërsa në disa të tjera si Likova, Orizarja, Sllupçani, Vaksinca dhe Llojani, projekti tashmë është përfunduar. Arifi tha se për fshatrat Opaj dhe Ropallc janë siguruar 930 mijë euro nga qeverisja e kaluar, por deri më tani, mjetet nuk janë procesuar nga ministria përkatëse. Kryetari i komunës bëri të ditur se në zonat ku ujësjellësi është funksional, familjet e kyçura tashmë furnizohen me ujë, megjithatë ka mungesë interesi nga disa banorë.

ERKAN ARIFI, KRYETAR I KOMUNËS SË LIKOVËS

Kemi disa probleme në disa fshatra, ku banorët nuk e paguajnë taksën që duhet ta paguajnë dhe ne nëse në një lagje nga 30 shtëpi, nëse nuk kanë kërkuar 20 shtëpi të kyçen, ne nuk mund ta lëshojmë ujin në atë lagje për të gjithë 30 shtëpitë, por vetëm për ata që kanë kërkuar”.

Arifi tha se me ardhjen e qeverisë aktuale, komunave nuk u lëshohet në mënyrë të rregullt TVSH-ja mujore për banorët jorezident, pasi ata nuk përfshihen në përllogaritjet zyrtare. Ai theksoi se kjo qasje është e padrejtë, duke pasur parasysh rolin e madh që luan diaspora për zhvillimin e komunës dhe shtetit. Ai shtoi se, pavarësisht këtyre investimeve dhe kërkesave legjitime, shteti nuk ndan mjete të mjaftueshme për këta banorë, duke e vështirësuar punën e komunës për të përmbushur nevojat e tyre.

ERKAN ARIFI, KRYETAR I KOMUNËS SË LIKOVËS

Ata jetojnë në shtetet gjermane, austriake, zvicerane 40 vjet/50 vjet, ai vjen ndërton në Komunë të Likovës dhe ai i cili ndërton, ne e bëjmë obligues tatimor. Plus, ai që ndërton, ai kërkon të drejtat e veta. Kërkon rrugë, kërkon ujësjellës, kanalizim, ndriçim publik, të gjitha të drejtat, ndërsa shteti nuk më lëshon mua si kryetar komune, mjete për ata banor dhe është e padrejtë”.

Ai sqaroi se në kuadër të BNJVL-së është iniciuar një procedurë për rishqyrtimin e mekanizmit aktual të shpërndarjes së mjeteve, me qëllim përfshirjen e drejtë të të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë vendit. /SHENJA/

 

MARKETING