(VIDEO) Çairi, Gostivari dhe Manastiri ndajnë 4 milionë denarë për tragjedinë në Koçan

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit, është miratuar një propozim për ndarjen e 1 milion denarëve për ndihmën e familjeve të viktimave të tragjedisë së tmerrshme që ndodhi në Koçan. Ky veprim i Këshillit të Komunës së Çairit është një shprehje e solidaritetit dhe angazhimit të komunitetit të Çairit në periudha të vështira. Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se kjo ndihmë financiare është vetëm një hap i parë dhe se Çairi do të vazhdojë të mbështesë individët dhe familjet që kalojnë në periudha të vështira.
Visar Ganiu, Kryetari i Komunës së Çairit
“Ky është një moment i vështirë për të gjithë ne, dhe si komunitet, është detyra jonë të qëndrojmë pranë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje dhe të sigurojmë që çdo qytetar të ndihet i sigurt dhe i mbështetur”.
Edhe komuna e Gostivarit ka ndarë një milionë denarë për të prekurit nga katastrofa në Koçan.
Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit
“Tragjedia e Koçanit është një plagë e madhe, por edhe një sfidë që na udhëzon të jemi më të bashkuar. Falënderoj Këshillin e Komunës që përkrahu propozimin tim për të kontribuar me 1 milion denarë për familjet e të prekurve.Dhimbja e tyre është çdo ditë në zemrat tona”.
Ndërkaq, komuna e Manastirit ka ndarë dy milionë denarë për të prekurit në Koçan. Këshilli i Komunës së Manastirit në seancë të jashtëzakonshme ka vendosur që nga buxheti lokal të ndahen dy milionë denarë si ndihmë financiare për familjet e të vdekurve dhe të lënduarve nga zjarri.
Nga një milionë denarë kanë ndarë edhe komuna e Butelit, komuna qendër dhe komuna Kisella Vodë. Komuna Ilinden ka ngarë 500 mijë denarë.
Anida Murati /SHENJA/