(VIDEO) Bytyqi dhe Demiri në pozita të garantuara në listën e LSDM-së

(VIDEO) Bytyqi dhe Demiri në pozita të garantuara në listën e LSDM-së

Në listat e publikuara mbrëmë nga LSDM për bartësit e listave për zgjedhjet parlamentare, Fatmir Bytyçi dhe Agron Demiri janë dy kandidatët shqiptarë të cilët qëndrojnë në pozita të garantuara. Bytyçi është i dyti në njësinë zgjedhore 2 ndërsa Demiri radhitet po ashtu i dyti në njësinë zgjedhore numër 6. Bytyçi menjëherë pas shpalljes së kandidaturës së tij si deputet deklaroi se kjo mundësi do ta afrojë atë edhe më shumë me qytetarët.

 FATMIR BYTYÇI, LSDM

“Bashkëqytetar të nderuar deri tani ju kam shërbyer si zëvendëskryeministër, detyrë të cilën e kam kryer pa zhurmë të madhe por me përgjegjësi dhe përkushtim. Është koha që unë të jem edhe më afër jush. Me kënaqësi mund të ju them se do të jem bashkëbartës në njësinë e dytë zgjedhore. Nuk heqim dorë. Me 8 maj është e pashmangshme fitorja e Maqedonisë Europiane”.

Agron Demiri është i vendosur në listë si përfaqësues i rinisë së partisë dhe për të mbështetur konceptin e LSDM-së “shoqëri për të gjithë” ku në shtatë vitet e fundit kanë përfshirë kuadro shqiptarë. Ai në rrjetin social Facebook ka kërkuar përkrahjen e qytetarëve dhe ka theksuar se kush do që dëshiron progres duhet ta votojë LSDM-në.

AGRON DEMIRI LSDM

“Nëse duam progres të vendit, koncepti një shoqëri për të gjithë duhet me doemos të jetë fitues. Në të kundërtën do të pësojme vetëm regres, gjë që nuk e dëshiron absolutisht askush në vendin tonë”.

LSDM në listën e zonës zgjedhore 1 do të ketë bartës kryetarin Dimitar Kovaçevski dhe e dyta do të jetë Monika Zajkova. Në zonën 2 para Bytyçit qëndron Oliver Spasovski. Në zonën 3 Sanja Llukarevska dhe Ljupço Nikollovski. Në zonën 4 Venko Filipçe dhe Jovanka Trençevska. Në zonën 5 Jovan Mitrevski dhe Bisera Kostandinovska-Stojçevska dhe në zonën 6 para Demirit qëndron Sllavjanka Petrovska.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING