(VIDEO) Bilalli Zendeli tha se mbetet e hapur mundësia për rikthimin e Mexhitit në BDI
Zërave në opinion se bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka gjasa të kthehet në partinë amë, gjegjesishtë në BDI, i ka komentuar në emisionin “Debat në Shenja, nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arta Bilalli Zendeli, e cila ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Izet Mexhitit në BDI, duke theksuar se partia nuk është përjashtuese ndaj bashkëpunimeve që synojnë avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
ARTA BILALLI ZENDELI, NËNKRYETARE E BDI-SË
“BDI gjithmonë, nëse e ka kërkuar nga kundërshtarët që të bashkohen dhe të bashkëpunojnë dhe Fronti Evropian, AKI i ka argumentuar këto më së miri. Shto këtu edhe paraqitjet publike të kryetarit Ali Ahmeti. Por mbetet për tu pare”.
E, një ndër arsyet që çoi në largimin e Izet Mexhitit nga BDI-ja, sipas deklarimeve të bëra ndër vite, ishte edhe kërkesa e tij për largimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga posti, me çka edhe kjo nuk kaloi pa u komentuar nga Zendeli. Ajo theksoi se vendimet e Qeverisë janë kolektive, ndërsa materialet kalojnë nëpër disa filtra dhe marrin pëlqime nga institucionet përkatëse, përfshirë edhe Ministrinë e Financave.
ARTA BILALLI ZENDELI, NËNKRYETARE E BDI-SË
“Konsideroj se këtu një çështje që duhet të dihet është se akuza qëndron se shteti nuk paska pasur të drejtë të organizojë vetë lojëra të fatit, sepse atë të drejtë ia ka dhënë në vitin 2013, Kazino Austria, që është në pronë dominante të Vllado Vukoviçit dhe kjo kazino e ka vetëm emrin e tillë, për të krijuar mjegullnajë pasi është nga Republika Sërpska. Pra nuk është poenta që të akuzohet Artani, sa është të mbrohet Vukoviçi”.
Duke komentuar deklaratat e ministrit të Drejtësisë nga radhët e VLENit, Jeton Shasivari, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Zendeli tha se, sipas saj, asnjë ministër tjetër nuk do të kishte marrë guximin të paragjykonte një vendim gjyqësor pa u shpallur ende. Ajo e cilësoi deklaratën si çështje që “hap jashtëzakonisht shumë dilema”. Ajo madje shkoi edhe më tutje, duke thënë se sipas saj, ishte e ngjashme me qëndrimin e ministrit të Drejtësisë të Qeverisë së Beogradit.
Samir Mustafa /SHENJA/

