(VIDEO) Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin

(VIDEO) Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin

Muaji i shenjtë i Ramazanit, muaji i agjërimit, i lutjes dhe sakrificës përfundoi. Mëngjesi i së premtes besimtarët mysliman i gjeti në xhami duke falur Bajramin. Mijëra muslimanë në të gjithë vendin iu drejtuan xhamive për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit.  Besimtarë të shumtë u mblodhën së bashku në të gjitha xhamitë ne kryeqytetit, por edhe në qytete dhe fshatrat e tjera të vendit për të falur namazin e Fitër e Bajramit, një nga festat më të mëdha të fesë islame. Manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme të xhamisë, u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë. Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, para namazit u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake, si dhe u bënë lutje. Fjalimin e Hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, ku përcolli porosi të paqes, duke uruar shëndet dhe lumturi për mbarë njerëzimin. Në deklaratën për gazetarët pas namazit të Bajramit, Fetahi tha se kjo ditë është dita e ngadhnjimit të besimtarit me veprat e tij gjatë Muajit të Ramazanit.  Fetahi në hutben e Fitër Bajramit foli edhe për migrimin e të rinjve.

SHAQIR FETAHI

“Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, duke e kuptuar situatën e përgjithshme jo vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut por në gjithë territorin e Ballkanit dhe më gjerë dhe duke e parë krizën ekonomike, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm dhe kërkohet nga të gjithë ne të mundohemi maksimalisht me fjalët tona, me porositë tona, me mundin tonë që bashkërisht të formojmë kushte të nivelit stabil ekonomik me qëllim që njerëzit tanë, populli ynë i kësaj shoqërie të gjejë ardhmërinë në trojet ku ka lindur dhe ku është rritur”.

Pas faljes së Namazit të Bajramit, nisën urimet mes besimtarëve…Paqe, shëndet e begati ishin urimet që shqiptoheshin … Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 23 mars dhe u përmbyll më 20 prill. Traditë e festës së Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje të gjerë mes të afërmve dhe miqve. /SHENJA/

MARKETING