(VIDEO) Besimtarët e krishterë festojnë Pashkët, urojnë krerët e shtetit dhe partitë

Krerët shtetëror dhe partiak në vend kanë uruar Pashkët, të cilat këtë vit kanë rastisur të jenë me një ditë. Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, ka dërguar një urim për besimtarët dhe krerët e Kishave në vend – Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, Kishës Katolike dhe Kishës Ungjillore-Metodiste.
GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA
“Fakti që këtë vit të gjithë të krishterët festojnë Pashkët në të njëjtën datë, le të jetë një nxitje për bashkim si këtu, ashtu edhe në mbarë botën. Besoj se të frymëzuar nga festa e madhe, do të gjejmë energji dhe forcë për të përballuar të gjitha sfidat dhe tundimet, duke u solidarizuar dhe bashkuar”.
Urim për qytetarët e krishterë ka dërguan edhe kreu i Kuvendit, Afrim Gashi.
AFRIM GASHI,KRYETAR I KUVENDIT
“Mesazhi i pashkëve është një mundësi për t’u kujtuar sërish se vlerat e përbashkëta si respekti i ndërsjellë, solidariteti dhe mirësia njerëzore janë thelbësore për përparimin e çdo shoqërie. Të gjithëve ju uroj paqe, shëndet dhe mirëqenie dhe që Pashkët t’i kaloni në ngrohtësi dhe dashuri me të dashurit tuaj”.
Kryeministri Hristijan Mickoski në urimin e tij thotë se pavarësisht problematikave në të cilat jeton shoqëria, qeveria mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shoqërisë.
HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Në një kohë të ndryshimeve të shpejta shoqërore, përparimeve teknologjike dhe presionit global mbi vlerat tradicionale, Qeveria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e rrënjëve të shoqërisë sonë dhe për krijimin e kushteve në të cilat familja, morali, edukimi dhe shpirtërorësia do të forcohen”.
Ndërkaq, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, në mesazhin e urimit tha se festa e sotme jep forcë dhe sjell shpresë për fillime të reja e më të mira, për përballje me sfidat.
“Pashkët janë simbol i shpresës, jetës dhe fitores së dritës mbi errësirën. Është një ditë që na bashkon rreth vlerave universale të dashurisë, solidaritetit dhe faljes”. Kështu thuhet në urimin e partisë opozitare shqiptare, BDI. Ndërkaq, nga koalicioni VLEN theksojnë se këto janë ditët e afrimit me njëri-tjetrin por edhe të besimit mes njerëzve.
Samir Mustafa /SHENJA/