(VIDEO) BDI: VMRO po zhvillon fushatë të diskriminimit etnik, Mickoski: Nuk duhet t’i kushtohet rëndësi kësaj retorike

(VIDEO) BDI: VMRO po zhvillon fushatë të diskriminimit etnik, Mickoski: Nuk duhet t’i kushtohet rëndësi kësaj retorike

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar sot VMRO – DPMNE-në se po zhvillon fushatë në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” e cila sipas tyre po vihet në zbatim ndaj administratorëve shtetërorë dhe publik, punonjësve të policisë dhe ata shëndetësorë si dhe shërbyesve civil me përkatësi shqiptare. Në një reagim të dërguar me shkrim nga kjo parti kanë thënë se, po kryhet një përpjekje sistematike për të degraduar dhe margjinalizuar profesionistët që i kanë shërbyer këtij shteti me përkushtim dhe profesionalizëm të pakontestueshëm.

BDI

“Punonjësit shqiptarë, të cilët kanë dëshmuar lojalitetin e tyre ndaj institucioneve dhe qytetarëve të këtij vendi, po degradohen dhe po largohen në mënyrë të padrejtë nga detyrat e tyre. Kjo fushatë është një sinjal alarmues për një agjendë më të gjerë, që synon të përmbysë parimet e barazisë dhe harmonisë multietnike, të cilat janë themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo përpjekje e orkestruar nuk është vetëm një fyerje ndaj shqiptarëve – është një sulm ndaj vetë strukturave të shtetit. Degradimi i profesionistëve në polici, në sektorin e shëndetësisë dhe në institucionet e tjera publike dërgon një mesazh të rrezikshëm: se diskriminimi mund të institucionalizohet”.

BDI i ka bërë thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë këto praktika, të cilat, siç thuhet jo vetëm që janë të padrejta, por minojnë edhe stabilitetin dhe kohezionin e vendit.  Por, kryeministri Hristijan Mickoskit thotë se, nuk duhet t’i kushtohet rëndësi kësaj retorike, e cila sipas tij do të ashpërsohet edhe më tej, me thellimin e hetimit të veprave kriminele. Ai tha se retorika e këtillë e BDI-së i irriton edhe qytetarët por edhe partnerët ndërkombëtar.

 Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së

“Retorika nga atje do të ashpërsohet edhe më tej. Sa më shumë që arrijmë te kriminelët, aq më e ashpër, më nacionaliste dhe më iridentiste do të jetë ajo retorikë. Të parët që do të hynë në parabaurgim, proceset e para gjyqësore, do të jetë edhe më e ashpër. Kjo është luftë kundër krimit, a ka ai përkatësi etnike – nuk ka, a ka përkatësi partiake – nuk ka. Unë ju paralajmërova. Disa çështje ndoshta shkojnë më ngadalë, drejtësia është e ngadaltë por vjen. Tani, ato për ta mbrojtur krimin, qendrat tregtare, pronat, paratë, milionat e kështu me radhë, vegla e vetme që e kanë në dispozicion është kjo. Ju lutem të mos i japim rëndësi”.

Duke folur për rastin e Ministrisë së Brendshme, e Mickoski tha se, ka pasur njerëz në ministrinë e brendshme që kanë qenë pjesë e partive politike që janë me përkatësi të ndryshme etnike që kanë keqpërdorur detyrën e tyre, kanë dhënë në mënyrë joligjore leje për amrëmbajtje dhe dokumente të tjera dhe janë sanksionuar në përputhje me ligjin.

Teuta Buçi /SHENJA/

 

MARKETING