(VIDEO) BDI kërkon hetim për vjedhjen e mjeteve financiare nga NPK Saraj
Pretendimet për vjedhjen e mjeteve financiare nga qarkullimi ditor i Ndërmarrjes Publike Komunale të Sarajit kanë nxitur reagimin e degës së BDI-së në Saraj. Sipas njoftimit të NPK-së, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë fundjavës së zgjatur, në zyrën e drejtorit. Duke e cilësuar rastin si një skandal të rëndë institucional nëse dyshimet vërtetohen, zëdhënësi i degës së BDI-së në Saraj, Fevzi Ebipi, kërkoi sqarime publike nga Komuna e Sarajit dhe drejtuesit e NPK-së, ndërsa u bëri thirrje edhe organeve kompetente që të hetojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes.
FEVZI EBIPI, ZËDHËNËS I DEGËS SË SARAJIT
“Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta atëherë bëhet fjalë për një nga skandalet më të rënda institucionale që ka njohur ndonjëher komuna e Sarajit. Një ngjarje e tillë cënon seriozisht kredibilitetin e institucionit, sigurinë e pasuirisë publike dhe besimi i qytetarëve ndaj komunës dhe institucioneve të saj. Edhe më shqetësuese është heshtja e kryetarit të komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi përballë një ngjarje të këtij dimenzioni”.
Ai ngriti një sërë pyetjesh mbi sigurinë e institucionit, shumën e mjeteve të zhdukura dhe mënyrën e ruajtjes së tyre.
FEVZI EBIPI, ZËDHËNËS I DEGËS SË SARAJIT
“Prandaj publikisht kërkojmë përgjigje të qartë për këto pyetje: A kanë qenë funksionale kamerat e sigurisë dhe sistemi i kontrollit hyrje-daljeve në objekt në momentik kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja? Pse nuk kanë qenë në krye të detyrës rojet e sigurimit dhe kush mban përgjegjësi për këtë lëshim? Sa është shuma e mjeteve financiare që pretendohet se është marrë dhe në ç’farë baza juridike ato mjete janë mbajtur në zyrat e drejtorit?”
Ebipi kërkoi që institucionet kompetente, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, ta hetojnë rastin në mënyrë të plotë, të paanshme dhe transparente, me qëllim identifikimin e autorëve dhe verifikimin e çdo përgjegjësie të mundshme.
Anida Murati /SHENJA/

