(VIDEO) BDI: Kabareja “Puls” mund të jetë hapur me një presion të një anëtari të Qeverisë

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojnë që faji të kërkohet aty ku është dhe jo aty siç thonë, ku është e pamundur të ekzistojë faj dhe lidhje shkak- pasojë me rastin tragjik në Koçan. Opozitarja vlerëson se është e domosdoshme të ngrihet çështja e rolit dhe përgjegjësisë së Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) në gjithë këtë situatë, pasi sipas tyre, kabareja “Puls” ishte zyrtarisht e mbyllur dhe e vulosur nga DAP në gjysmën e dytë të dhjetorit 2024, për shkak të shkeljeve të konstatuara lidhur me moslëshimin e faturave fiskale.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Megjithatë, pavarësisht faktit që kompania që menaxhonte diskotekën, ‘MMM Kafe DOOEL Koçan’, kishte llogarinë e bllokuar që nga korriku i vitit 2024, ajo sërish rifilloi punën shumë shpejt, pa asnjë pengesë institucionale ose sanksion ligjor. Moslejimi i rifillimit të aktivitetit dhe moszbatimi i ndalimit të punës do të thoshte që kabareja nuk do të ishte aktive për një periudhë të gjatë, dhe për rrjedhojë as natën fatale. Ky fakt hap çështje serioze, veçanërisht ligjore dhe politike, lidhur me mënyrën se si ishte e mundur rihapja e diskotekës në këto rrethana dhe kush kishte ndikim mbi këtë vendim”.
Sipas BDI-së, opinioni publik kërkon përgjigje për dyshimet se rihapja ka qenë rezultat i presionit politik nga një anëtar i qeverisë aktuale, duke shtuar se nëse këto dyshime rezultojnë të bazuara, atëherë kjo përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit dhe demonstron ndërhyrjen politike në pavarësinë e institucioneve.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Prandaj, shtrohet pyetja nëse ky presion politik është arsyeja pse Prokuroria dhe Policia po e injorojnë qëllimisht këtë linjë hetimi dhe po e mbrojnë atë me çdo kusht? Këto pretendime ngrenë dyshime për një keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare dhe ndikim politik mbi proceset institucionale, duke çuar në një përgjegjësi të mundshme penale për të gjithë palët e përfshira”.
Megjithëse, MPB ka ngritur kallëzime penale dhe Prokuroria Publike formalisht ka nisur hetime, integristët theksojnë se drejtimi dhe shtrirja e tyre shkaktojnë shqetësime serioze për shkak të shmangies së dukshme të disa pistave kyçe të rastit, të cilat siç thonë, duket se janë lënë qëllimisht jashtë ose kufizuar me vetëdije.
Samir Mustafa /SHENJA/