(VIDEO) BDI e cilëson skandaloz Ligjin për Përfaqësim të Drejtë
Kanë vazhduar përplasjet politike dhe akuzat e ndërsjella të partive për ligjin për përfaqësim të drejtë të propozuar nga Qeveria, e që me shumicë votash kaloi në lexim të parë. Nga BDI-ja vlerësojnë se ky propozim ligj i promovuar nga VLEN, e sipas tyre i hartuar nga Karakamisheva, është një tekst skandaloz, pa garanci juridike dhe pa mekanizma efektivë zbatimi. Sipas integristëve, Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Аdekuat vetëm ligj për përfaqësim adekuat-etnik nuk mund të quhet.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Veçanërisht shqetësues është fakti se ligji nuk parashikon kuota etnike, nuk krijon mekanizma institucionalë për garantimin e zbatimit dhe nuk përmban asnjë sanksion ndaj institucioneve apo drejtuesve që zgjedhin të mos e respektojnë atë. Po aq problematik është ndryshimi i filozofisë së përfaqësimit. Me këtë propozim, meritokracia vendoset si kriter primar, ndërsa përkatësia etnike si kriter dytësor”.
Për ligjin për përfaqësim të drejtë foli mbrëmë në emisionin “Debat në Shenja” edhe ministri Azir Aliu. Duke komentuar kundërshtitë e BDI-së për këtë ligj, Aliu tha se një veprim i tillë mund të shënojë fillimin e rënies politike të BDI-së, duke e larguar atë jo vetëm nga pushteti, por edhe nga skena politike në afat të gjatë.
AZIR ALIU, MINISTËR
“Kjo do të jetë historike për BDI-në dhe mendoj se do të jetë hapi i parë për të shkuar në histori përgjithmonë jo veç në opozitë BDI-ja. Të jesh kundër një ligji për të definuar procese kombëtare është më shumë se vetvrasje politike. Dhe po të më pyetni si politikan, uroj që ta bëjnë këtë, uroj që të jenë përpara dhe uroj që të dalin dhe të na japin më shumë material si qeveri”.
Ndonëse ka kaluar lexim të parë, bllokim të ligjit përmes amendamenteve kanë paralajmëruar nga Bashkimi Demokratik për Integrim në fazën e dytë, gjatë debateve që do të organizohen në Kuvend për këtë propozim ligj.
Mevludin Imeri /SHENJA/

