(VIDEO) BDI dhe VLEN përplasen për zgjedhjet lokale
Paralajmërimi I funksionarëve të VLEN-it se do të kenë mbështetje të ndërsjelltë me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet lokale ka shkaktuar reagime dhe akuza mes BDI -së dhe dhe VLEN-it. BDI dhe VLEN ia kanë rikujtuar njëra -tjetrës kohën dhe momentet kur secila prej tyre ka kërkuar koalicion me VMRO-në dhe me Mickoskin.
BDI vlerëson se deklaratat e fundit të funksionarëve të VLEN-it mbi “mbështetje të ndërsjellë” me VMRO-DPMNE-në, për zgjedhjet lokale nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një iluzion force aty ku nuk ka as mbështetje, as legjitimitet. Sipas BDI-së, ata nuk mund të fitojnë asnjë garë pa ndihmën e të tjerëve.
BDI
“Deklarata: ‘Ne do të fitojmë sepse VMRO-DPMNE do të na ndihmojë’ nuk është strategji, por dorëzim. Dhe shqiptarët nuk ndjekin ata që dorëzohen. Ndërsa përpiqen të mbajnë veten politikisht në këmbë përmes manipulimeve të tipit ‘Ne do ta marrim ministrin e brendshëm’, siç bënë para zgjedhjeve, e më pas u instalua një zëvendësministër kukull dhe i heshtur, ne kemi diçka që ata nuk mund ta marrin dot: mbështetjen e shqiptarëve, votën e tyre dhe besimin e tyre”.
Integristët vlerësojnë se ata e marrim fuqinë nga populli, ndërsa për VLEN-in thonë se përpiqen ta marrin nga të tjerët.
Ndërkaq VLEN I është kundërpërgjigjur BDI-së dhe thotë se që tani ajo po përgatit terren për të mos pranuar disfatën në zgjedhjet lokale!
VLEN
“BDI i lutej mandatarit të atëhershëm, Mickoski, që t’i merrte ata në vend të VLEN-it në Qeveri. Oferta e BDI-së, e dërguar përmes ndërmjetësuesve te Mickoski, ishte katër ministri pa kryetar Kuvendi, plus marrëveshje për bashkëpunim në zgjedhjet lokale në Kërçovë dhe Strugë, ku të paktën një kandidat i përbashkët për kryetar komune i VMRO-së dhe BDI-së do të ishte maqedonas”.
Pak ditë më parë zëvendës kryeministri Izet Mexhiti paralajmëroi mbështetje të ndërsjelltë me VMRO-në për zgjedhjet lokale të vjeshtës. Ai tha se do ta ndihmojnë njëri-tjetrin ku të ketë nevojë, qoftë në rrethin e parë të zgjedhjeve, apo në rrethin e dytë.
/SHENJA/