(VIDEO) BDI dhe VLEN përplasen për kazinon afër varrezave në Bllacë
BDI hedh akuza se pranë varrezave në Bllacë, po planifikohet ndërtim i një kazinoje. Parcela sipas tyre, është në pronësi të kompanisë Flamingo Casino. Sipas Imrane Veliut nga BDI, nëse konfirmohet se aty po ndërtohet objekt për veprimtari të lojërave të fatit, thotë se kemi të bëjmë me një nga vendimet më të papërgjegjshme dhe më fyese ndaj ndjenjave të qytetarëve. Me këtë rast parashtruan disa kërkesa.
Imrane Veliu, BDI
* Të publikohet destinimi real i objektit dhe gjithë dokumentacioni përkatës.
* Të ndalen punimet deri në sqarimin e plotë të rastit.
* Të hetohet se si është lejuar një veprimtari e tillë pranë varrezave.
* Të respektohet vullneti dhe ndjeshmëria e qytetarëve të kësaj zone.
Për këtë ka reaguar kompania MAKOTEN, brend i së cilës është Casino Flamingo. Përmes një reagimi me shkrim ata bëjnë apel që të ndalohen siç thonë tentativat e fshehta për të abuzuar me siç e quajnë brendin e famshëm botëror “Casino Flamingo” në preukopimet politike ditore, me qëllim që të shmanget dëmtimi i pa bazë i reputacionit të korporatës.
MAKOTEN
“Casino Flamingo nuk vizaton parcela ndërtimi, as nuk merret me planifikim urban. Çdo pretendim se synojmë të shkelim dinjitetin e dikujt ose të rrezikojmë tokën ku ka varreza është shpifje e pastër që manipulon në mënyrë të palejueshme ndjenjat më të thella fetare për interesa mizore politike”.
Ndërsa BDI-së i reagoi edhe koalicioni shqiptar qeverisës VLEN.
VLEN
“BDI po mundohet të manipulojë me tema që vetë i ka prodhuar për vite me radhë. Ironia është brutale. Ata që për vite e kthyen industrinë e lojërave të fatit në arkë politike, sot sillen sikur nuk dinë gjë. Absurd që nuk pi ujë”.
Ndërsa BDI e pyeti këtë të fundit se pse kjo qeveri tërhoqi ligjin me të cilin premtonte largimin e lojërave të fatit nga afërsia e shkollave dhe zonave të ndjeshme.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

