(VIDEO) BDI dhe VLEN akuza reciproke për keqpërdorime në MEPSO
Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Koalicioni VLEN kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta lidhur me ndërmarrjen shtetërore MEPSO dhe vendimin ndërkombëtar që lidhet me një dëm financiar prej 6 milionë eurosh.
BDI kërkon hetim të menjëhershëm ndaj drejtorit të MEPSO-s, Burim Latifi, duke e konsideruar atë përgjegjës për dëmin prej 6 milionë eurosh që, sipas tyre, do të paguhet nga buxheti i shtetit. Sipas kësaj partie, anulimi i kontratës me kompaninë Energoinvest dhe zëvendësimi i saj me një kompani tjetër nga Banja Luka përbën vendim të dëmshëm dhe të motivuar politikisht
TABELË: BDI
“Tribunali ndërkombëtar DAB, që vepron sipas rregullave FIDIC, i ka rrëzuar të gjitha kundërkërkesat e MEPSO-s prej 19.3 milionë eurosh dhe i ka njohur Energoinvestit të drejtën në 6 milionë euro, që do të dalin nga buxheti i shtetit nga xhepat e qytetarëve”.
BDI gjithashtu kërkon hetim nga prokuroria, auditim të kontratave dhe pezullim të marrëveshjeve aktuale deri në sqarimin e plotë të rastit.
Ndërkaq, VLEN i hedh poshtë këto akuza dhe kundërpërgjigjet duke e akuzuar BDI-në për keqpërdorime shumë më të mëdha dhe për bllokimin e projektit ndër vite. Sipas VLEN-it, projekti energjetik ka qenë pothuajse i ngrirë me vetëm 4% realizim për disa vite, ndërsa kontrata kishte skaduar pa progres real. Ata pretendojnë se gjatë qeverisjes së BDI-së janë zhvilluar negociata për rritje të kostos së projektit.
Tabelë: VLEN
“Është kërkuar një aneks prej pothuajse 50% të vlerës së kontratës, përkatësisht rreth 8 milionë euro më shumë, gjë që është në kundërshtim me kushtet kontraktuale dhe çdo logjikë ekonomike. Për më tepër, ekzistojnë evidenca për braktisje të njëanshme të kantierit nga ana e kontraktorit, si dhe kushtëzime me kërkesa të reja financiare”.
VLEN gjithashtu thekson se procedura para tribunalit ndërkombëtar nuk përbën vendim përfundimtar, por është pjesë e një faze para-arbitrazhi dhe se shteti ka ende mundësi ligjore për të mbrojtur interesat e tij./SHENJA

