(VIDEO) Bastisen 47 objekte, arrestohen 16 persona për drogë dhe armë
16 persona të arrestuar dhe 11 kallëzime penale nga aksioni i madh policor 2 ditor në vend, në të cilin u kryen 47 bastisje në disa lokacione të vendit, njoftojnë nga MPB. Ata bëjnë të ditur se gjatë bastisjeve janë gjetur drogë, armë para dhe sende të tjera. Nga MPB thonë se vazhdojnë me aktivitete intensive për zbulimin dhe sanksionimin e të gjitha formave të kriminalitetit, me qëllim të sigurimit të një mjedisi më të sigurt dhe rritjes së sigurisë për të gjithë qytetarët.
MPB
“Gjatë bastisjeve u gjetën dhe u sekuestruan sasi të mëdha marihuane, disa paketime me kokainë, si dhe paketime më të vogla me kokainë të përgatitura për shitje të mëtejshme. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan armë zjarri, pistoleta dhe pushkë, municione të llojeve të ndryshme, para dhe sende të tjera për të cilat ekziston dyshimi se burojnë nga vepra penale”.
Nga MPB bëjnë të ditur se kallëzime penale janë ngritur për veprat penale si “prodhim dhe lëshim i paautorizuar në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” dhe “prodhim, mbajtje dhe tregtim i palejuar i armëve ose materie shpërthyese”.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

