(VIDEO) Avokati i Popullit ka hapur lëndë lidhur me ndotjen e ujit në Gostivar
Avokati i Popullit ka hapur lëndë me iniciativë të vet lidhur me ndotjen e ujit në Gostivar. Banorët e Gostivarit prej afër katër javësh nuk kanë ujë të sigurt për pije, pas zbulimit të baktereve në ujësjellës, ndërsa rezultatet përfundimtare të analizave priten deri më 20 gusht. Qëllimi sipas Avokatit të Popullit, është të përcaktohet se si është cenuar e drejta e qytetarëve për ujë të pastër dhe të sigurt për pije, pasi më shumë se 4.000 banorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të helmimit. Për këtë arsye janë kërkuar informacione nga Instituti i Shëndetit Publik, Qendra e Shëndetit Publik, Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Publike “Komunalec”.
AVOKATI I POPULLIT
“Gjatë ditës së djeshme kemi pranuar informacione me shkrim nga institucionet përkatëse. Megjithatë, ato nuk janë të plota, pasi nuk I përmbajnë të gjitha të dhënat dhe rrethanat relevante që lidhen me problemin e ndotjes së ujit. Për këtë arsye, Avokati i Popullit gjatë ditës së sotme do t’u drejtohet edhe institucioneve të tjera kompetente”.
Avokati i Popullit ka paralajmëruar Këshillin e Komunës së Gostivarit që të shqyrtojë mundësinë që qytetarët e Gostivarit, si dhe banorët e komunave të tjera që përdorin shërbimet e NP “Komunalec”, të lirohen nga detyrimi për të paguar faturat e ujit për periudhën gjatë së cilës uji nuk ka qenë plotësisht i sigurt për përdorim.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, vlerësoi se situata epidemiologjike gradualisht po stabilizohet dhe se numri i pacientëve të rinj të regjistruar me probleme është në rënie. Ai theksoi se një ekip ekspertësh i Ministrisë së Shëndetësisë po përgatit një analizë të detajuar të të gjithë rastit, e cila do t’u dërgohet dhe do të ndahet me institucionet e tjera kompetente.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

