(VIDEO) Arrestohet ish kryetari i FFM-së

(VIDEO) Arrestohet ish kryetari i FFM-së

Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini, është arrestuar nën dyshimet për përvetësim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria. Sipas MPB-së, ish-kreu i FFM-së, Muhamed Sejdini, është ndaluar nga zyrtarë policorë të Njësisë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, si dhe të Policisë Kriminalistike.  Sipas informacioneve të para, Sejdini dyshohet se ka përvetësuar rreth 700.000 euro – mjete që Bashkimi Evropian i Futbollit (UEFA) ia kishte ndarë FFM-së për punime ndërtimore në stadiumin e Ohrit. Ndërkaq, nga Prokuroria bëjnë të ditur se hetimet janë në vijim.

PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE

“Në kuadër të një lënde të formuar në Prokurorinë Publike të Shkupit, zyrtar policor nga Departamenti për Zbulimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz dhe Departamenti i Policisë Kriminale privuan një person nga liria për shkak të veprimeve që tregojnë dyshime për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim. Veprimet ende po ndërmerren me urdhër të prokurorit publik, dhe më shumë detaje rreth rrjedhës së mëtejshme të procedurës do të ndahen pas përfundimit të veprimeve në vazhdim.”

Muhamed Sejdini  ka qenë në krye të FFM-së për dy mandate, nga viti 2019 deri në vitin 2025. Në muajin shkurt të këtij viti, ai u pezullua për dy vite nga FFM.

Komisioni Disiplinor i FFM-së ka konstatuar se Sejdini, duke keqpërdorur pozitën e tij, ka nënshkruar një kontratë me një kusht të futur për pagesë paraprake prej 20%, edhe pse një kusht i tillë nuk ishte pjesë e ofertës së pranuar për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

MARKETING