(VIDEO) Arrestohen nga policia, 62-vjeçarët prodhonin akull me ujë të pasigurt për pije
Policia i ka arrestuar dy 62-vjeçarë nga Radovishi pasi ata prodhonin dhe shisnin akull i cili nuk ishte i sigurt për përdorim, pasi prodhimi i akullit bëhej në kushte të improvizuara dhe johigjienike. Të moshuarit gjithashtu ujin për prodhim e siguronin nga lidhja ilegale në rrjetin e ujësjellësit. Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit e kanë zhvilluar këtë veprimtari me vite të tëra dhe prodhimin e tyre e kanë vënë në qarkullim te persona të tjerë juridikë dhe fizikë.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre, në tarracën e katit përdhes të shtëpisë ku jetojnë të kallëzuarit, janë gjetur ngrirës në të cilët kishte një numër të madh qesesh me kuba akulli. Akulli ishte i ruajtur dhe lënë nga të kallëzuarit për shitje nëpërmjet vetëshërbimit, ndërsa paratë nga shitja liheshin në një kuti të veçantë”.
Më pas ekipi profesional i një laboratori të akredituar ka marrë mostra të ujit që përdorej si lëndë e parë për prodhimin e akullit, si dhe mostra të akullit nga qeset e tre ngrirësve. Tek akulli analizat treguan për praninë e bakteries Esheria coli dhe bakterie të tjera.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Nga raporti i përfituar pas analizave mikrobiologjike dhe kimike të ujit është konstatuar se vetëm uji i përdorur për prodhim përmbushte parametrat e kërkuar, në përputhje me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm. Të gjitha mostrat e tjera të marra për analizë nuk i përmbushnin parametrat e kërkuar dhe në to është konfirmuar prania e bakterit Escherichia coli dhe e baktereve koliforme”.
Gjatë kontrolleve është konstatuar gjithashtu se prodhimi i akullit bëhej përmes linjave të furnizimit me ujë të vendosura në disa pika. Punonjësit e Ndërmarrjes Publike të Radovishit kanë konstatuar se uji që përdorej në pjesën e bodrumit nuk matej përmes ujëmatësit. Gjatë kontrollit në objektin e të kallëzuarve në vendin e quajtur „Gladno Pole“, në territorin e Radovishit, ishte konstatuar se është ndërtuar pa leje, dhe aty është gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore, të cilën e posedonin pa dokumentacionin përkatës.
Policia konfiskoi makineritë e gjetura për prodhimin e akullit dhe ngrirësit me akullin e gatshëm, në sasi prej rreth 850 kilogramësh dhe do të paraqes kallëzim përkatës.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

