(VIDEO) Anesteziologut që incizoi gratë duke lindur pritet t’i merret licenca

(VIDEO) Anesteziologut që incizoi gratë duke lindur pritet t’i merret licenca

Kryetarja e Odës së Mjekëve, Kalina Grivçeva Stardelova, tha se organet e Odës së Mjekësisë kanë iniciuar procedurë kundër anesteziologut tetovar I cili ka shpërndarë pamje direkte të pacienteve në njërën nga sallat e spitalit. Komisioni i Etikës ka konstatuar se Valon Dervishi ka shkelur disa norma etike. Vendimi përfundimtar  thonë ata pritet javën e ardhshme. Dënimi maksimal që ai mund të marrë është heqja e licencës për një periudhë maksimale prej shtatë vjetësh, njoftoi Grivçeva.

KALINA GRIVÇEVA STARDELOVA, KRYETARE E ODËS SË MJEKËVE

“Tema është incidenti në Spitalin klinik të Tetovës, ku një mjek në këtë institucion shëndetësor fatkeqësisht e ka shfrytëzuar pozitën e tij dhe ka shkelur të drejtat e pacientëve, duke dëmtuar reputacionin e profesionit tonë. Është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme, pas një diskutimi të detajuar, Komisioni ka marrë vendim për fillimin e çështjes në gjykatën e nderit. Ndaj Valon Devishit u pranua kallëzimi me propozim për heqjen e përkohshme të lejes së punës”

Ajo theksoi se mjekët duhet ta kryejnë profesionin e tyre me përgjegjësi.

KALINA GRIVÇEVA STARDELOVA, KRYETARE E ODËS SË MJEKËVE

“Mjeku është i detyruar të ruajë sekretin profesional. Shprehim keqardhjen tonë dhe në emër të të gjithë profesionit u kërkoj falje të gjithë pacientëve që ishin në spital. Gjykata e Nderit do të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur”

Ditë më parë gjykata ka dënuar me tetë ditë paraburgim anesteziologun e spitalit të Tetovës i cili ka incizuar gratë – paciente në njërën nga sallat e spitalit dhe ka publikuar ato drejtpërdrejtë në rrjetin social TikTok. Prokuroria e Tetovës ka nisur hetime kundër tij. Ai u pushua edhe nga vendi i punës.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING