(VIDEO) Ambasadori gjerman dhe Taravari diskutuan për mënyrën e arritjes së shumicës për ndryshimet kushtetuese

(VIDEO) Ambasadori gjerman dhe Taravari diskutuan për mënyrën e arritjes së shumicës për ndryshimet kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese dhe mënyra se si mund të arrihet deri në shumicën e nevojshme, ishin temë diskutimi mes ushtruesit të detyrës së ambasadorit gjerman, Otto Graf, dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ambasadori gjerman, e uroi Taravarin për pjesëmarrjen në Qeveri, dhe gjatë takimit shkëmbyen ide se si mund të sigurohen  votat e nevojshme  për ndryshimet kushtetuese, pasi sipas ambasadorit qytetarët e Maqedonisë së Veriut duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Otto Graf, U.D. ambasador i Gjermanisë

“Ne jemi dakord se qytetarët e këtij vendi rrugën e tyre e shikojnë në Bashkimin Evropian dhe se ata personalisht kanë shumë arsye se pse e shohin të ardhmen e tyre drejt BE-së, dhe është shumë me rëndësi që të vazhdohet të ecet drejt kësaj rrugë, ndërsa ajo që tani duhet bërë, ai është hapi i radhës për ndryshimet kushtetuese”

Kryetari i Aleancës, Arben Taravari, tha se gjatë takimit kanë biseduar për sfidat e ardhshme që e presin qeverinë e Maqedonisë së Veriut, si dhe për ndryshimet kushtetuese dhe rrugën e mëtutjeshme të vendit drejt euro-integrimeve, si dhe për situatën aktuale politike në rajon.

Taravari gjithashtu se me hyrjen në Qeveri  kanë për detyrë  të bëjnë diferencën nga udhëheqjet e mëparshme të këtyre institucioneve.

Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët 

“E kemi për obligim dhe detyrë që t’i përmirësojmë disa punë në ministritë të cilat do t’i udhëheqim, ta bëjmë diferencën dhe dallimin në mes të asaj si janë udhëhequr institucionet dhe si di të udhëheqen prej tash”

Të dy bashkëbiseduesit janë optimistë se ndryshimet kushtetuese, për vendosjen e pakicës bullgare në preambulë, mund të ndodhin.

Linda Ebibi /SHENJA/

MARKETING