(VIDEO) Ambasadës greke i dorëzohet letra për rikthimin e shqiptarëve nga Çamëria
Letra që rikthen në vëmendje çështjen çame dhe kërkesat e komunitetit iu dorëzua sot Ambasadës së Greqisë në Shkup, nga shoqata kulturore “Vizioni M”, në shënim të 82-vjetorit të gjenocidit çam. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Muajit të Çamërisë, ku anëtari i shoqatës kulturore “Vizioni M”, Abdulla Berisha, tha se përmes këtij veprimi simbolik, ata kërkuan që kjo çështje të trajtohet me më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe të mbetet pjesë e diskutimeve për të drejtat e njeriut. Ai theksoi se kërkesat e tyre janë të përsëritura ndër vite dhe lidhen me kthimin, të drejtat e pronës dhe heqjen e pengesave ligjore.
Sinkron: Abdulla Berisha, anëtar i shoqatës kulturore “Vizioni M”
“Kërkesat janë të njejta që i bëjmë disa vite me rradhë. Të rikthehen shqiptarët nga Çamëria, të rikthehen të vizitojnë trevat e tyre, të hiqet ligji i luftës dhe eventualisht, të zgjidhet çështja e pronësisë së trevave, vataneve, shtëpive, të cilat i kanë lënë pas. Qëllimi kryesor është që të senzibilizohet opinioni, të bëhet kërkesë edhe në Komisionin Europian që çështja të trajtohet si një çështje e të drejtave të njeriut dhe jo si një çështje ndërshtetërore, ndëretnike”.
Duke folur për efektin e letrave dhe mënyrën se si është trajtuar kjo çështje ndër vite, Berisha thotë se kërkesat e tyre nuk kanë gjetur ende adresim konkret nga pala greke, dhe se shteti Grek sipas tij ende mban në funksion ligjin e luftës dhe nuk pranon të egzistojë çështja Çame.
Sinkron: Abdulla Berisha, anëtar i shoqatës kulturore “Vizioni M” 00:39
“Tradicionalisht nuk janë marrë parasysh për fat të keq letrat protestuese, qoftë këtu apo në vendet tjera, shteti Grek fatkeqësisht akoma mban në funksion ligjin e luftës dhe nuk pranon të ketë, të egzistojë çështja Çame. Ne në RMV mundemi kaq të bëjmë, por në bashkërendim me të gjitha shoqatat të cilat janë të interesuara të merren me këtë çështje, synojmë ta ngremë çështjen në komitetin e ajsingit në institucionet përkatëse ndërkombëtare”.
Ndërkaq, ai thekson se përmes këtyre aktiviteteve simbolike synojnë të mbajnë gjallë kujtesën historike dhe të rrisin ndërgjegjësimin ndërkombëtar për çështjen çame. Nga ku gjithashtu thekson se ata do të vazhdojnë angazhimin e tyre në bashkërendim me organizata të tjera, deri në trajtimin e kësaj çështjeje në instanca përkatëse.
Anida Murati/SHENJA/

