(VIDEO) 8 ditë paraburgim për shkupjanin që dogji dy vetura të Ambasadës Bullgare
Një 44-vjeçar nga Shkupi është dërguar në paraburgim për tetë ditë, pasi dyshohet se i vuri flakën dy automjeteve diplomatike në pronësi të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, me kërkesë të Prokurorisë. Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 15 qershor rreth mesditës në bulevardin “Mitropolit Teodosij Gologanov”. I dyshuari fillimisht ka blerë benzinë në një pompë karburanti pranë ambasadës, më pas është afruar te automjetet e parkuara, i ka spërkatur me benzinë dhe u ka vënë flakën. Pas incidentit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa është identifikuar me ndihmën e kamerave të sigurisë.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Prokuroria ka ngritur dyshime për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, duke vlerësuar se zjarri ka rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe ka shkaktuar dëme materiale. Duke pasur parasysh se ngjarja ndodhi në një zonë të frekuentuar dhe në mes të ditës, organet e ndjekjes penale kërkuan caktimin e paraburgimit”.
Rasti ka nxitur reagime edhe në nivel politik. Qeveria e Maqedonisë së Veriut dënoi ashpër incidentin, duke theksuar se sulmet ndaj objekteve dhe pronës diplomatike janë të papranueshme dhe cenojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ngjarja u dënua edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, e cila vlerësoi se incidenti është pasojë e gjuhës agresive politike dhe nxitjes së urrejtjes, ndërsa kritikoi reagimin institucional në raste të ngjashme të mëparshme.
Ndërkaq, në lidhje me këtë rastë, Fondacioni bullgar “Maqedonia” ka paralajmëruar se të dielën do t’i bllokojë tre pikat kufitare ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bllokada, siç njoftuan nga Fondacioni, është koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bullgarisë dhe do të zgjasë dy orë, nga ora 11:00 deri në 13:00. Qëllimi i bllokadës, siç shtojnë nga Fondacioni bullgar, nuk është pengimi i qytetarëve për të kaluar kufirin, por, për t’i dërguar një mesazh kryeministrit Hristijan Mickoski se pushteti në Shkup nuk mund të vazhdojë me, siç thonë ata, represionin.
Samir Mustafa /SHENJA/

