(VIDEO) 8.700 kilogramë ushqime të pasigurta u hoqën nga qarkullimi

(VIDEO) 8.700 kilogramë ushqime të pasigurta u hoqën nga qarkullimi

Në periudhën prej 16 deri më 19 korrik, ekipet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme të përforcuara në objektet dhe operatorët ushqimorë në qendrat turistike të Dojranit, Ohrit, Strugës dhe Prespës, në të cilat janë përfshirë 112 objekte. Prej tyre 54 janë dënuar me gjobë dhe 8 kanë marrë ndalesë nga puna. Nga AUV-ja thonë se me kontrollet u konstatua mosplotësim i kërkesave të përgjithshme dhe të veçanta higjienike në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve, si dhe ushqimeve me afat të skaduar përdorimi dhe shitja e ushqimeve pa deklarim dhe etiketim.

AGJENCIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË

8.700 kilogramë ushqime të pasigurta u hoqën nga qarkullimi dhe u shkatërruan në mënyrë të padëmshme. Agjencia e Ushqimit edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme edhe në qendrat e tjera turistike për shkak të temperaturave të larta”.

Kujtojmë se në fillim të korrikut të 2024 një dyqan për ushqime të shpejta në lagjen Aerodrom të Shkupit është mbyllur si masë paraprake për shkak të dyshimit për helmim me ushqim të nëntë personave. Paraprakisht, pas pranimit të katër personave në Klinikën Infektive me simptoma të helmimit nga ushqimi, u mbyll një gjellëtore në lagjen Vllae të Shkupit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING