(VIDEO) 61 vjet nga tërmeti katastrofik në Shkup, qytetarët tregojnë përjetimet

(VIDEO) 61 vjet nga tërmeti katastrofik në Shkup, qytetarët tregojnë përjetimet

61 vjet më parë, një tërmet katastrofik rreth orës 05:17 minuta në mëngjes mori 1.070 jetë, 3.000 njerëz u lënduan dhe mbi 200.000 banorë mbetën të pastrehë në qytetin e Shkupit. Më 26 korrik 1963, qyteti i Shkupit u godit më një tërmet prej magnitudë gjashtë të shkallës Rihter, me epiqendër në sheshin “Maqedonia”. Për të kuptuar edhe më shumë këto plagë të kësaj date, qytetarët e intervistuar nga Televisioni Shenja, shpjeguan përjetimet e tyre gjatë kësaj dite, ku ishte e vështirë për ata se si të e përshkruajnë, të ndjehen të lumtur që nuk kishin familjarë të vdekur apo të ndjejnë keqardhje për ata që i humbën jetët e tyre.

QYTETAR Çka kemi përjetu, u dridh krejt toka Shkupi u bë rrafsh. Kemi dal në ara kemi nejt aty edhe nuk kemi pa më kurxha. I kam pas 10 vjet aty pari. Po nja 10-15 vjet ka shku deri sa u drejtum pak, i ndreqem pak ato shpija e sene.”

QYTETAR

“Vallah çka me thanë, ky shoku kallxoj. Çarshija krejt u rrafshu, si Çarshija si mahalla të islamike çka janë kanë të marrume në kohën e Turqisë, krejt ata shpija u shembën. Napër shatorrë shkojshmi, nëpër shatorë shkojshmi nëpër shkolla. Nja 10 vjet kemi hequr boll. Po ndihmë t’botës kemi pas atëher na erdhen, u rregullum pak si ma shpejt se me fukarallëkin vallah kërkush kurxha nuk mujke”

E disa prej tyre nuk kishin qenë afër familjarëve në këtë fatkeqësi, ajo që kishin parë kur ishin kthyer në Shkup ishte ndryshë nga ajo që e kishin lënë.

QYTETAR

“Çka u bë në tërmet ?! Në tërmet ndodhën shumë gjëra të këqija. Në vitin 1963 atë kohë unë kam qenë ushtar në Bosnje, nuk e kam parë shumë këtë fatkeqësi mirëpo më pas kur erdha në shtëpi, nuk kishte askush, shtëpia ishte shkatërruar, kishin shkuar në vend tjetër pak më të mirë. Çdo vend ishte katastrofë, të shkatrruar e rrënuar, qëndrova disa orë aty dhe më pas shkuam në Kaçanik, Kosovë, aty kishim familjarë dhe për atë shkuam atje”

QYTETAR

“Jemi kanë t’u ardh në Shkup prej fshatit Haraçinë, n’kam jemi kanë t’u ardhë. Vijmë në sabah shesmi këtu diçka edhe si na ka rrok ktu si i thojm te autokomanda edhe nuk e kemi ditë se ka shkojmë. Mbas një sahati a dy kur na kanë ardhur mend po vallah. Atëherë i kam pasë 22-23 vjet.”

Qytetarët u shprehën se nuk është e njëjtë ajo që dëgjohet me atë që ata kanë përjetuar, kështu duke shpresuar që kjo të mos përsëritet më asnjëherë.

Merxhane Iseni /SHENJA/

MARKETING