(VIDEO) 26 organizata kërkojnë tërheqjen e koncesioneve minerale

(VIDEO) 26 organizata kërkojnë tërheqjen e koncesioneve minerale

Njëzet e gjashtë organizata qytetare, iniciativa dhe platforma kërkojnë nga Qeveria të anulojë ose të shfuqizojë vendimet dhe thirrjet publike për ndarjen e koncesioneve për hulumtime gjeologjike të mineraleve metalike. Sipas tyre, procedurat aktuale janë në kundërshtim me Ligjin për Burimet Minerale dhe rrezikojnë të përfshijnë zona që tashmë janë të mbuluara me koncesione ose kanë qenë më parë objekt i hulumtimeve. Organizatat kërkojnë që Qeveria dhe Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale të ndalin menjëherë të gjitha aktivitetet që lidhen me këto procedura, duke përfshirë pranimin dhe vlerësimin e ofertave, si dhe ankandin elektronik të paraparë për 6 gusht. Sipas tyre, me dy vendimet e Qeverisë përfshihen 29 komuna në pjesën lindore të vendit. Ata theksojnë se një pjesë e madhe e këtyre territoreve kanë qenë më parë objekt i hulumtimeve gjeologjike ose janë nën koncesione aktive për shfrytëzim të burimeve minerale.

Organizatat pretendojnë se është shkelur neni 7-a i Ligjit për Burimet Minerale, pasi hulumtimet paraprake nuk mund të zhvillohen në hapësira ku tashmë ka procedura ose koncesione ekzistuese. Për këtë arsye, ato kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të procedurave dhe anulimin e vendimeve përkatëse.

ORGANIZATAT EKOLOGJIKE

“Presim që Qeveria të veprojë në përputhje me Ligjin për Burimet Minerale, t’i anulojë ose t’i shfuqizojë këto vendime dhe t’i ndërpresë plotësisht procedurat, me qëllim që të mos ndahen koncesione në hapësira që janë të përjashtuara me ligj”.

Organizatat kërkojnë që Qeveria t’i informojë me shkrim për masat e ndërmarra brenda tre ditëve pune. Ndërkohë, afati për dorëzimin e ofertave përfundon më 31 korrik, ndërsa ankandi elektronik është caktuar për 6 gusht. Kujtojmë se vitin e kaluar ishte paralajmëruar ndërprerja e 45 koncesioneve në sektorin minerar për shkak të mosrespektimit të ligjeve dhe masave për mbrojtjen e mjedisit.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING