(VIDE) Instituti i Shëndetit Publik ndalon shqipen, reagon BDI
“Mosrespektimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve po shndërrohet në një trend shqetësues në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arjanit Hoxha. Ai denoncoi një rast të pretenduar në Institutin e Shëndetit Publik, ku sipas Hoxhës, drejtoresha aktuale e institutit, Marija Andonovska, ka urdhëruar sektorët që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
ARJANIT HOXHA, NËNKRYETAR I BDI-SË
“Sipas informacioneve që disponojmë, drejtuesit e sektorëve janë udhëzuar t’i njoftojnë punonjësit, përmes mesazheve telefonike, se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen më dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet vetëm në gjuhën maqedonase. Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe? Kush ia ka dhënë kompetencën të vendoset mbi ligjin?”.
Nënkryetari i integristëve gjithashtu akuzoi edhe partinë shqiptare në pushtet VLEN, duke theksuar se ata sipas Hoxhës, po dëshmojnë se janë të paaftë për të mbrojtur gjuhën shqipe dhe siç tha, po bëhen edhe të shurdhër përballë shkeljeve flagrante të ligjit.
Hoxha kishte edhe një kërkesë për qeverinë, duke ju bërë thirrje që ta shqyrtojnë me kujdes dhe vëmendje veprimet e funksionarëve, të cilët tha se po marrin guximin të vendosen mbi ligjin! Ai kërkoi përgjegjësi konkrete për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe njëkohisht tha se Inspektorati duhet të ndërmarrë menjëherë mbikëqyrje institucionale dhe veprimet adekuate juridike kundër të gjithë atyre që shkelin ligjin në fuqi, pa dallim funksioni apo përkatësie politike.
Samir Mustafa /SHENJA/

