Vedat Muriqi zbulon fjalimin motivues të trajnerit Emre Belozoglu para përballjes me Shakhtarin
Vedat Muriqi ka dhënë një tjetër deklaratë pas fitores së Fenerbahçes ndaj Shakhtar Donetskut, ku sulmuesi kosovar ishte protagonist duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes.
Pas përfundimit të takimit, Muriqi u shpreh i lumtur për tri pikët e fituara, duke i cilësuar ato si shumë të rëndësishme për objektivin e skuadrës në Ligën e Kampionëve.
“Jam shumë i lumtur. Arritëm një fitore vërtet të vlefshme. Kjo ndeshje ishte jetike për të kaluar në raundin tjetër në Ligën e Kampionëve. Morëm tri pikë vendimtare”, deklaroi Muriqi.
Ai gjithashtu falënderoi tifozët për mbështetjen, duke theksuar atmosferën e krijuar në stadium, e cila sipas tij u ngjante ndeshjeve në shtëpi.
“Sot kishte një turmë të mrekullueshme, na u duk sikur po luanim në Kadıköy. I falënderoj sinqerisht të gjithë”, shtoi sulmuesi kosovar.
Muriqi foli edhe për periudhën e shkurtër të punës me trajnerin Emre Belözoğlu, duke zbuluar fjalët që ky i fundit ua kishte drejtuar futbollistëve pas barazimit zhgënjyes ndaj Kocaelisporit.
“Patëm një barazim të pafat kundër Kocaelisporit. Nuk e nisëm mirë, por u rikuperuam më vonë dhe pësuam dy gola nga goditjet standarde. Pas ndeshjes, trajneri Emre na tha: ‘Mbani kokën lart, do të përmirësohemi’”, tregoi Muriqi.
Në fund, ai theksoi se skuadra ka nevojë për kohë dhe punë për t’u përmirësuar, duke shprehur besimin se rezultatet do të vijnë.
“Ne punuam me trajnerin Emre për një kohë të shkurtër. Do të përmirësohemi. Do të vazhdojmë të punojmë”, përfundoi Muriqi.
Me golin e tij ndaj Shakhtarit, sulmuesi kosovar i dha Fenerbahçes tri pikë të rëndësishme në garën për të kaluar në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.

