Ushtria izraelite bastis zona në Kunejtra të Sirisë dhe ngre pikë kontrolli

Ushtria izraelite bastis zona në Kunejtra të Sirisë dhe ngre pikë kontrolli

Ushtria izraelite bastisi zonën përreth fshatit al-Samdaniyah në provincën jugperëndimore siriane Kunejtra dhe ngriti një pikë kontrolli të përkohshme për të kontrolluar kalimtarët, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë siriane të lajmeve SANA, forcat izraelite, të përbëra nga tri automjete ushtarake, kontrolluan kalimtarët përpara se të tërhiqeshin nga zona.

Në një incident tjetër pas mesnatës, një forcë izraelite me më shumë se 15 automjete ushtarake hyri në fshatin Al-Asha në jug të Kunejtrës, kontrolloi një shtëpi dhe një magazinë për ushqim bagëtish, dhe më pas u tërhoq, raportoi SANA.

Ushtria izraelite nuk ka dhënë menjëherë koment lidhur me këto inkursione të raportuara.

Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit më 8 dhjetor 2024, Izraeli e shpalli të pavlefshme marrëveshjen e mosangazhimit me Sirinë të vitit 1974 dhe hyri në zonën tampon të monitoruar nga Kombet e Bashkuara. Administrata e re siriane ka përsëritur vazhdimisht angazhimin e saj ndaj kësaj marrëveshjeje.

Pavarësisht mungesës së kërcënimeve të drejtpërdrejta nga udhëheqja e re siriane, Izraeli ka vazhduar sulmet ajrore dhe operacionet tokësore në Siri, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme ndaj infrastrukturës ushtarake.

MARKETING