UNDP: Tërmetet mund t’i kushtojnë Türkiye-s më shumë se 100 miliardë dollarë

UNDP: Tërmetet mund t’i kushtojnë Türkiye-s më shumë se 100 miliardë dollarë

Tërmetet e muajit të kaluar mund t’i kushtojnë Türkiye-s më shumë se 100 miliardë dollarë, vlerësoi Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), raporton Anadolu.

Louisa Vinton, përfaqësuese e UNDP-së në Türkiye, tha se 2,7 milionë njerëz u zhvendosën për shkak të tërmeteve që goditën rajonin një muaj më parë.

Në konferencën javore për media, ajo shtoi se pothuajse 600 mijë ndërtesa u shembën.

“Sipas vlerësimeve të deritanishme, dëmi do të kushtojë më shumë se 100 miliardë dollarë”, tha ajo, duke folur përmes video-lidhjes nga provinca turke Gaziantep.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 me epiqendër në Kahramanmaraş goditën edhe 10 provinca të tjera turke, duke prekur rreth 13,5 milionë njerëz.

Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë lëkundjet që goditën në më pak se 10 orë.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 46.100 persona humbën jetën nga tërmetet në Türkiye, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën.

MARKETING