Trump zotohet për llogaridhënie për personat që hetuan ndaj tij: Do japin shpjegime për çdo shkelje!

Duke folur të premten në Departamentin e Drejtësisë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u zotua për llogaridhënie për personat që u angazhuan në hetime ndaj tij gjatë periudhës që nuk ishte në detyrë.
“Pararendësit tanë e shndërruan këtë Departament të Drejtësisë në Departamentin e Padrejtësisë. Por, unë gjendem sot këtu përpara jush për të deklaruar se ato ditë kanë marrë fund dhe nuk do të rikthehen më kurrë. Nuk do të kthehen më kurrë”, tha Presidenti Trump.
Gjatë viteve kur nuk ishte në detyrë, departamenti ngriti dy herë akuza ndaj ish-Presidentit Trump për mbajtjen e dokumentaeve të klasifikuara në pronën e tij në Florida dhe për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Të dyja dosjet hetimore u pushuan pasi Presidenti Trump fitoi zgjedhjet në nëntor. Departamenti i Drejtësisë përmendi si bazë për këtë veprim politikën e hershme për të mos ngritur akuza ndaj një presidenti në detyrë.
“Tashmë, si zyrtari më i lartë ligjzbatues në vendin tonë, unë do të këmbëngul dhe do të kërkoj llogaridhënie të plotë dhe gjithëpërfshirëse për shkeljet dhe abuzimet që kanë ndodhur. Populli amerikan na ka dhënë një mandat, një mandat që shumë pak njerëz menduan se mund të ishte i mundur”, tha Presidenti Trump.
Administrata e re amerikane ka shkarkuar prokurorët që e hetuan Presidentin Trump gjatë administratës së ish-Presidentit Biden dhe po shqyrton punën e mijëra agjentëve të FBI-së që hetuan disa nga mbështetësit e tij që hynë në Kapitol më 6 janar 2021.