Trump shqyrton miratimin përfundimtar të marrëveshjes së propozuar me Iranin

Trump shqyrton miratimin përfundimtar të marrëveshjes së propozuar me Iranin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se do të takohet me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një “vendim përfundimtar” mbi marrëveshjen e propozuar për t’i dhënë fund luftës me Iranin, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump përshkroi disa elemente që, sipas tij, janë pjesë e propozimit, përfshirë angazhimin e Iranit për të mos zhvilluar kurrë armë bërthamore dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë tregtar.

“Do të takohem tani në Dhomën e Situatave për të marrë një vendim përfundimtar”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan tha se Irani do të detyrohet të heq çdo minë të mbetur në këtë rrugë detare strategjike, ndërsa SHBA-ja do të heq bllokadën detare mbi anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.

Trump gjithashtu tha se materiali bërthamor shumë i pasuruar i groposur në objektet e goditura nga sulmet amerikane vitin e kaluar do të nxirret dhe shkatërrohet nga SHBA-ja në bashkëpunim me Iranin dhe Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

“Nuk do të ketë shkëmbim parash, deri në njoftim të mëtejshëm”, shtoi ai, duke iu referuar fondeve iraniane të ngrira në sistemin financiar amerikan.

“Çështje të tjera, me rëndësi më të vogël, janë dakorduar”, theksoi ai.

Deklaratat erdhën një ditë pasi zyrtarët amerikanë thanë se ishin shumë afër një marrëveshjeje për zgjatjen e armëpushimit 60-ditor dhe një kuadri për negociata mbi programin bërthamor të Teheranit.

Dje, zv/presidenti amerikan, JD Vance, tha se Washingtoni dhe Teherani ishin “shumë afër” nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi, megjithëse paralajmëroi se disa çështje mbeten të pazgjidhura.

Sipas detajeve të raportuara nga Axios dhe të konfirmuara për Anadolu nga burime amerikane, draft-memorandumi do të mbante të hapur Ngushticën e Hormuzit për transport tregtar, do të kërkonte heqjen e minave nga Irani dhe do të angazhonte Teheranin në negociata mbi pasurimin e uraniumit dhe rezervat e tij.

Raporti gjithashtu thotë se marrëveshja do të përfshinte diskutime mbi lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e fondeve iraniane të ngrira si pjesë e bisedimeve më të gjera bërthamore.

MARKETING